Kanoset me armë pronari i lokal "Vjosa"
04/05/2005 TIRANË- Një 28-vjeçar nga kryeqyteti kanos me armë pronarin e lokal "Vjosës", pranë shkollës “Teknologjike", pas një zënke të momentit në tavolinë. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të këtij lokali, ndërsa protagonistët e grindjes tashmë ndodhen të arrestuar në ambientet e brendshme të Komisariatit numër 6, në Kombinat. Burimet policore saktësojnë për gazetën se dy protagonistët ishin ulur në tavolinë bashkë me dy miq të tyre, teksa Ismail Bramuça ka nxjerrë pistoletën dhe pas kërcënimeve me fjalë ka qëlluar për të vrarë Albert Arapin, pronarin e lokalit në fjalë. Plumbi ka zënë në xham, ndërsa Arapi i është shmangur goditjes, duke i shpëtuar për mrekulli një plagosjeje të mundshme. Menjëherë nga të pranishmit e tjerë në lokal, në atë orë të vonë të së hënës, u lajmëruan forcat e policisë, të cilët, pasi izoluan zonën, mundën të vënë në pranga Arapin dhe Bramuçën, të cilët ende ndodhen në qelitë e Komisariatit numër 6. Bramuça, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, akuzohet sipas nenit 76, 22 të Kodit Penal. Edhe pas goditjes me pistoletën e tipit TT, Bramuça, sipas policisë, nuk ka ngurruar ta qëllonte Arapin me grushta. Ky i fundit i është kundërpërgjigjur me të njëjtën mënyrë. Ndërkaq, lokal "Vjosa" është shkrumbuar disa muaj më parë, si pasojë e pakujdesisë. Në lokal ishin harruar disa bombula gazi, të cilat më pas kanë shpërthyer, duke sjellë kështu djegien e të gjitha ambienteve të brendshme. Ai u ndërtua sërish brenda disa ditëve dhe u soll në gjendjen e tij të mëparshme. Arapi, pronari i lokalit, atë ditë sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Spanjë.