E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas zënkës me burrin, pi helmin e fostoksinës

04/05/2005  TIRANË- Ulet me burrin për të pirë kafe dhe përfundon me një kokërr fostoksinë në gotën e ujit. Një 31-vjeçare nga fshati Priskë, në Tiranë, nënë e tre fëmijëve mendoi se do ta mbaronte këtu historinë e vuajtjeve të saj, por fatmirësisht ajo i ka shpëtuar për mrekulli vdekjes dhe vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë në sallën e infektimeve në Spitalin Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në një nga lokalet e këtij fshati, kur 31-vjeçarja me mbiemrin Gjuzi ishte ulur me bashkëshortin e saj, 35 vjeç. Sipas burimeve policore, ata ishin duke pirë kafen e mëngjesit dhe njëkohësisht po sqaronin disa probleme të vjetra që kishin me njëri-tjetrin. Pikërisht në momentin kur bashkëshorti i saj ishte çuar nga tavolina i nxehur, pasi nuk kishte mundur të sqarohej me gruan, Gjuzi nxori nga xhepi i saj tabletën me kokrrat e fostoksinës, të cilat i mbante me vete dhe e përzieu me ujë. Dëshmitarët okularë panë me sytë e tyre sesi ajo u këput në tokë menjëherë dhe nga goja i dilte një shkumë e bardhë. Menjëherë ajo u dërgua nga të pranishmit në lokal për në Spitalin Ushtarak, në të cilin gjendet ende në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi helmi ka depërtuar në gjak dhe mundësia e lavazhit dhe serumeve tashmë është konsumuar. Mjekët bëjnë të ditur se, edhe pse tashmë rreziku për jetën ka kaluar, do të duhen edhe disa ditë që gjendja e saj shëndetësore të përmirësohet. Në sallën e spitalit ndodhej edhe bashkëshorti i saj, i cili i rrinte te koka, duke u përkujdesur për të. Vala e vetëvrasjeve që ka përfshirë prej muajsh kryeqytetin shqiptar, ka marrë të paktën 20 jetë njerëzish, shumica e të cilëve janë femra. Helmi i fostoksinës deri më tani ka qenë mënyra kryesore e aktit të vetëvrasjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›