Kanosi të shoqen, ekstradohet nga Greqia 27-vjeçari

Një 27 vjeçar i kërkuar për kanosje vrasjese është ekstraduar mbrëmjen e sotme nga Greqia drejt vendit tonë.
Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana thekson se rreth ores 17:45, është ekstraduar nga Greqia shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Brahim Telha, 27vjeç, lindur në Sarandë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, e ka dënuar Telha me 1 vit e 6 muaj burg, për kryerjen e veprës penale të "Kanosjes" dhe "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Kjo sepse shtetasi Brahim Telha është shpallur fajtor pasi në datën 03.10.2007 ka goditur dhe kanosur bashkëshorten e tij E. T për motive xhelozie, si dhe e ka kërcënuar atë me thikë dhe me armë zjarri tëtipit kallashnikov, duke e mbajtur nën presion.
Arrestimi i tij u bë i mundur si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën.
Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas Brahim Telha i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.