Mungojnë avokatët, gjykata shtyn gjyqin e Fazlliç
TIRANE - Mungesa e avokatëve mbrojtës të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, çoi dje në shtyrjen e seancës gjyqësore në Gjykatën e Tiranës. Gjykata kishte caktuar të shqyrtonte dje padinë e bërë nga biznesmeni i hetuar për "pastrim parash" në vendin tonë. Ai është ankuar në gjykatë kundër Prokurorisë, duke e konsideruar zgjatjen e afatit të hetimeve ndaj tij si të pa drejtë dhe të pa bazuar në ligj. Fazlliç përfaqësohet nga avokatët Genci Gjokutaj dhe Brahim Lahi, por asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm dje në seancë. Avokati Gjokutaj paraqiti një deklaratë, ku e justifikonte mungesën e tij në gjyq për arsye shëndetësore. Ndërsa avokati Lahi, në të njëjtën kohë ndodhej në seancën gjyqësore të dosjes "Gërdeci" në Gjykatën e Lartë. Në kushte kur mbrojtësit nuk ishin të pranishëm, gjykata shtyu seancën për në datën 11 maj 2009. Padia e Damir Fazlliç u regjistrua në gjykatën e kryeqytetit më 16 prill të këtij viti. Me anë të kësaj padie, biznesmeni kërkon kundërshtimin e vendimit të Prokurorisë së Tiranës për zgjatjen e afatit të hetimeve ndaj tij për "pastrim parash". Hetimi ndaj Fazlliç nga drejtësia shqiptare nisi në tetor të vitit të kaluar pas dyshimeve se ai mund të ketë kryer pastrim parash në vendin tonë. Prokuroria shtyu për të dytën herë afatet e hetimit ndaj tij. Shkak ishte vonesa e mbërritjes së letërporosive nga pesë vende të Evropës, ku dyshohet se biznesmeni ka transferuar paratë e aktivitetit të tij. ar.ba