Kaosi dardan
Lidhja Demokratike e Dardanisë është përfshirë nga deklarata kaotike për dorëheqje dhe shkarkime, të mërkurën. Nënkryetari i LDD’së për Prishtinën, Sharr Pllana, ka mohuar deklaratat e kryetarit të degëve të partisë në Prishtinë, Musli Mehaj, i cili ka thënë se këto degë kanë kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pllana tha se nga Dega e Katërt e LDD’së ka kaluar një individ, kurse nga Dega e Tretë tre apo katër individë.
“Konsiderojmë se deklarata e Musli Mehës është individuale dhe vetëm për qëllime përfitimi personal, si dhe nuk përfaqëson vullnetin politik të degëve të LDD-së”, tha Pllana.
Në një konferencë për gazetarë, ku ishin të pranishëm edhe kryetarët e pesë degëve të LDD’së, Pllana tha se LDD’ja as që mendon të shuhet, përkundrazi ka një motiv më të madh për të punuar më tej. Megjithatë, ai theksoi se nuk di cilët do të janë hapat e ardhshëm të partisë. Sipas Pllanës, kjo iu takon strukturave të larta të partisë.
Ndërkohë, po të mërkurën, përderisa kryetari i Forumit Rinor të LDD’së, Vigan Syla, thoshte se ka dhënë dorëheqje nga posti, LDD’ja nëpërmjet një komunikate për media njoftonte se kryesia e këtij forumi unanimisht e ka shkarkuar atë. “Njoftojmë opinionin e gjerë, anëtarësinë dhe simpatizantët e LDD’së se si rrjedhojë e rezultateve zgjedhore të 12 dhjetorit dhe zhvillimeve të brendshme në LDD që nga zgjedhjet e deri më sot, në pajtim me shumicën e Kryesisë së Forumit Rinor dhe strukturave të Forumit Rinor nëpër degë, kam vendosur që të jap dorëheqje nga anëtarësia në LDD”, thuhet në njoftimin e Sylës.
Ndërkaq, në komunikatën e LDD’së thuhet se në mbledhjen e Kryesisë së FRLDD’së pas shqyrtimi të aktualitetit politik dhe angazhimeve të FRLDD’së gjatë këtij procesi, unanimisht Kryesia e FRLDD’së vendosi që ta lirojë nga detyra kryetarin e deritanishëm të saj, Vigan Syla. “Kryesia e FRLDD’së vendosi që të angazhohet fuqishëm në proceset e ardhshme të LDD’së. Kryesia e FRLDD’së njofton gjithashtu se nuk ka lëvizje nëpër subjektet e tjera”, thuhet në komunikatë.