E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas rinumërimit, anulohen 9 vendvotime?

Nga Express më 06 janar 2011 në ora 10:10

Parregullsitë e shumta që janë gjetur gjatë procesit të rinumërimit të 40 për qind të votave, pritet t’i dërgojnë drejt anulimit edhe nëntë vendvotime nëpër komuna të ndryshme, shkruan KD.

Burime të gazetës brenda Qendrës së Numërimit të Rezultateve të votave, kanë bërë me dije për gazetën se parregullsitë janë hasur gjatë rinumërimit manual që ka përfunduar të mërkurën në mbrëmje. Madje QNR-ja pritet që parregullsitë e gjetura t’i paraqesë në raportin e saj përfundimtar, të cilin të premten do t’ia dorëzojë Komisionit Qendror Zgjedhor.

“Gjatë rinumërimit janë vërejtur parregullsi të shumta nëpër disa
vendvotime të komunave të ndryshme. Janë gjithsej nëntë vend votime që do të duhej të anuloheshin pasi që kur janë rinumëruar votat janë evidentuar shumë gjetje të cilat kanë kaluar nivelin e tolerancës së shkeljeve”, ka bërë me dije burimi i gazetës brenda QNR-së.

Nga ana tjetër, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se ky institucion do të dalë me vendim rreth procesit të rinumërimit pasi që të shqyrtojë raportin dhe rekomandimet që QNR-ja do t’ia japë të premten KQZ-së.

“Rinumërimi është bërë për shkak të disa parregullsive që janë evidentuar gjatë numërimit të votave, mirëpo pas rinumërimit një shumicë e madhe është futur në sistem dhe ka dalë se janë të rregullta, ndërsa çka do të ndodhë me kutitë të cilat edhe pas rinumërimit kanë një lloj parregullsie duhet të pritet për raportin përfundimtar të QNR-së dhe rekomandimet e kësaj qendre”, është shprehur kryetarja Daka pas mbledhjes së rregullt të KQZ-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›