E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti dhe nëpunësit e tij duhet të rrezatojnë qytetari në marrëdhënie me njerëzit dhe ndërgjegje e përgjegjshmëri me detyrën

Nga Xhevahir TAHIRAJ
Çfarë dëgjojmë e po shohim në veprimet e funksionin e ushtrisë shtetërore çuditërisht një ndjenjë pabesueshmërie dhe pasigurie na largon gjithnjë e më shumë prej saj. në të kundërtën, ajo, administrata edhe si domosdoshmëri e jetës së saj po përpiqet të forcojë lidhjet e të ngjitet me shoqërinë. Mirëpo rrugët e komunikimit dhe koherenca e mendimeve po kërkon maska e mashtrim deri në përvetësim e pronësim të cilësive popullore, sipas ndasive politike. Rasti më flagrant qe debati i fundit i turpshëm dhe i neveritshëm i një qeveritari të lartë. Edhe Qeveria edhe opinioni (nëpërmjet shoqërisë civile)  bëri sikur u befasua. Bëri sikur u befasua sepse ka kohë që në sallonet dhe korridoret leksionare të "elitave" pisllëqe dhe ndyrësi të atilla kanë zier me kohë dhe kanë qenë objekt i vazhdueshëm thashethemnajash. S'ka si shpjegohen ndryshe përgojimi bajat që shumë folës të emisionit ne NEËS 24 rreshtojnë ish dhe qeveritarë me turpe e njollosje morali të shoqërisë. Edhe fjalitë që dy titullarë të lartë të shtetit nxituan dhe hapën dritaret për të pastruar "zyrat" nga era e qelbur e moralit të pistë korrupsion, jo se i mbyti era e keqe por se trysnia e opinionit shqiptar është më e fortë akoma se ideologjizmi i moralit të shoqërisë. Nga tërë ky debat shoqëria ruajti vlerat, ruajti moralin e saj, shteti dhe politika u bë njësh dhe u mundua ta kapërcejë turpin dhe dredhi sa për kredo aq edhe kosto politike. Shoqëria doli nga indiferenca, e flaku, e përbuzi dhe ia la kopilin pronë të oborrit korrupsion të montuar në rrethet e larta. Shoqëria e kuptoi se duart e pista kanë interpretuar edhe trupin dhe rrezikojnë që shteti i njollosur në korrupsion rrezikon të  çojë edhe vetë shoqërinë në humnerën e depresionit moral. Maksimalisht shoqëria qorton edhe nuk pranon ta mbisundojë morali i keq i njerëzve aventurierë, perversë e të pacipë. I takonte shtetit dhe politikës ta gjykonte, dënonte dhe përçmonte veprimin e një pushtetari. Por shteti dhe opozita filluan ta lajnë duart e fytyrën me urinën e tyre dhe shitën veten, shoqërinë dhe zbuluan prapanicën para botës me "mbrojtjen e shpifjet", me justifikimet dhe zvogëlimin efekteve që u munduan të bënin. Shoqëria priste shteti siç deklaroi "se veprimi i një ministri as përputhet as përfaqëson moralin e shtetit" të rekomandonte në çdo hallkë të tij të vlerësojë e dëgjojë të paktën një herë për korrupsionin e zi e të turpshëm që përflitet. Tentativën e zëdhënësve e ndan deputeti, përfaqësuesi apo gazetari me cektësinë se u turpërua PD dhe folën në televizor si e "ëma e Zeqos" tregoi se edhe moralin e popullit duan ta pronësojnë. Ishin bajate dhe tentativat që folës partiakë kërkuan të vishnin për të brendshme të brendshme të pushtit, manjakut, vagabondit, horrit të zyrave, "provokimin", "investigimin", "kurthin" e shtypit apo njerëzve pishtarë të civilizimit shqiptar. Këto i dhanë krah autorit të veprimit të turpshëm që paturpësisht të dilte në televizor e deklaronte se e kishte fituar me gjak deputetllëkun. Si banor në Qytetin Studenti mua më erdhi turp dhe u ligështova që të dy kandidatët e përzgjedhur majtas e djathtas ishin dy profesorë doktorë ballë për ballë të përgojuar, të vegjël, tinëzarë e megalomanë që do të përfaqësonin këtë zonë totalisht të majtë dhe cilësisht shumë qytetare e dashamirëse në kryeqytet. Të dy humbën në elektorat, por Pango fitoi me gjak se gjakosi poshtërsisht vëzhguesit e të majtës me militantët e partisë së tij. Ndaj nuk ndjeva asgjë për humbjen e njërit dhe fitoren e tjetrit, veç dëshpërim e turp që të pamerituar dhe larg moralit të elektoratit u përfaqësuam në Parlament. Tani që njihen më mirë "figurat e mëdha" të përzgjedhura partiake është sa e çuditshme aq edhe neveritëse përpjekjet partiake që bëjnë për ti ruajtur pak imazhin apo të harrojnë shpejt atë, ishin nga e djathta dhe tentativën për të futur në lista identikun e tij nga marifetet e parasë, dhuratave e premtimeve që e majta kërkon të kandidojë në këtë zonë. Listat mbyllura që u ligjëruan në Kodin Zgjedhor do të kenë çudira e mospërputhje. Mospërputhje mes cilësive të kandidatëve dhe moralit të shoqërisë. Kandidatët po përzgjidhen nga shkalla pasurore dhe aftësia e përshtatjes dhe besnikërisë ndaj shefave. Këtu po gabojnë partitë politike, por edhe do të kemi përsëri shumë nga ata e këta që mbahen mend edhe kur duhet të harrohen.                   

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›