E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapakët e pusetave grabiten me makinë

Duket se hajdutët e kapakëve të
pusetave e kanë rritur profesionalizmin
e tyre, pasi tashmë vjedhjet
kryhen me makinë. Nën udhëheqjen
e "tutorit", policia ka kapur tre
të mitur, të cilët po lëviznin me një
makinë dhe bagazhin e saj e kishin
mbushur me kapakë pusetash. Burimet
zyrtare të Drejtorisë së Policisë së
Tiranës bënë të ditur se bashkë me të
miturit u arrestua edhe tutori i tyre,
Lirim Hysenaj, i cili është edhe poseduesi
i mjetit të bllokuar. Sipas informacioneve
nga uniformat blu, kapja
e tyre është bërë pasditen e së hënës.
Hysenaj, kishte mbledhur të miturit,
Nderimin 14-vjeçar, Bekimin dhe Egzonin
16-vjeçarë, dhe kishin dalë për
"gjueti kapakësh". Ata mbanin mjetin
të fshehur në ndonjë vend pranë kapakëve
të pusetave dhe pasi i merrnin
i dërgonin aty, duke i futur në bagazh.
Por, ky veprim ka rënë në sy të qytetarëve,
që pa përtuar kanë telefonuar
sallën operative të policisë, duke dhënë
edhe koordinatat e sakta të katërshes
hajdute. Një patrullë e përgjithshme
është nisur menjëherë në vendngjarje,
bashkë me disa agjentë të antikrimit.
Këta të fundit kanë pikasur të miturit,
të cilët po hiqnin një tjetër kapak dhe
i kanë ndjekur deri në vendin se ku po
e dërgonin. Kur kanë parë se "tutori"
i tyre ishte një tjetër, kanë ndërhyrë
menjëherë, duke bërë kapjen e tyre në
flagrancë. Ata kanë tentuar të arratisen,
por vendi ishte rrethuar dhe nuk kanë
mundur të çajnë, duke u dorëzuar. Në
këto kushte, policia tha se bëri shoqërimin
e tyre, të cilët do të ndiqen penalisht
në gjendje të lirë për vjedhje të mbetur
në tentativë. Nga ana tjetër, policia ka
bllokuar mjetin tip "Audi", me targë TR
4158 I, pronë e 25-vjeçarit Hysenaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›