E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapelo: Asnjë emocion

05/03/2005  Trajneri i Juventusit mendon vetëm për atë që e pret në fushë, duke evituar komentet mbi polemikat

Ndeshja e sotme, midis Romës e Juventusit, është e rëndësishme jo vetëm për rivalitetin e përjetshëm midis dy skuadrave, por edhe për “mikpritjen” që do t’u rezervohet “tradhtarëve” Zebina, Emerson dhe mbi të gjithë Fabio Kapelos. Ish-trajnerin e Romës po e presin me ankth në Romë, gati për t’i rezervuar një pritje aspak miqësore. Kapelo është figura qëndrore e këtij “derbi” dhe vëmendja e 80 mijëve të stadiumit “Olimpiko” do të jetë e gjitha për të. Megjithatë, trajneri bardhezi, i famshëm për gjakftohtësinë e tij, nuk i vë rëndësi tensionit të pragndeshjes: “Jam shumë i zënë me mdeshjen dhe me përgatitjen e skuadrës sime, pjesa tjetër nuk më intereson”. Flet “Don Fabio”, i papërshkueshëm nga emocionet dhe nga ndjenjat e së kaluarës: “Do të luaj në një fushë ku kam jetuar shumë gjëra të bukura, por nuk ndiej ndonjë gjë të veçantë. Kam ndërruar shumë skuadra dhe tashmë nuk i ndiej shumë emocionet. Nëse kam frikë nga cilësimi “tradhtar”, për mua është më e rëndësishme ndeshja, sesa ajo që ndodh nëpër tribuna”. Përsa i përket formacionit që do të zbresë në fushë, si zakonisht, Kapelo mban gjithçka sekret: “Kam shumë ide, por ato që po ndodhin kohët e fundit më bëjnë që mos t’i zbuloj letrat”. Megjithatë, një mendim e thotë për Trezegenë: “Kam folur me të dhe me siguri do të ulet në stol. Roma ka tre sulmues, Toti, Montela e Kasano, teknikisht të shkëlqyer, por nuk do të jenë i vetmi rrezik për ne. Nuk kam parashikuar asnjë mbulim të veçantë ndaj Totit, sepse do të linim hapësira të mëdha për të tjerët”. Kapelo flet për Romën, por edhe për Realin, një tjetër ish-skuadër e tij: “Rezultati i ndeshjes së sotme nuk do të jetë vendimtar, pasi sido që të shkojë, kemi akoma shumë ndeshje dhe kohë për të rekuperuar. Ndyshe është Liga e Kampioneve, sepse nëse gabojmë, dalim jashtë. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, njëra pas tjetrës, të cilat kërkojnë një sforcim fizik dhe mendor të konsiderueshëm, por skuadra është mirë dhe jam i qetë. Ne do të kërkojmë të marrim tre pikët, pastaj të shohim se çdo të bëjë Milani, që ka një ndeshje më të lehtë se ne, por asnjëherë nuk i dihet”. Ndërkohë, “Rai Trade” ka informuar se ndeshja e sotme do të transmetohet në 180 vende, për një shifër prej 2 miliardë spektatorësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›