Vazhdon “telenovela” Mutu

05/03/2005 Nuk ka mbaruar akoma historia e kalimit të Adrian Mutusë te Juventusi. Sulmuesi rumun, i pushuar nga Çelsi në fillim të sezonit për përdorim kokaine dhe i skualifikuar për 7 muaj nga federata angleze, është një lojtar bardhezi që nga janari i kaluar. Moxhi nuk paguajti asnjë lek për ta marrë Mutunë dhe për ta teseruar, në pritje që të mbarojë skualifikimi. Por Çelsi nuk është dakort dhe ka qëllim ta hedhë në gjyq rumunin për dëme. Klubi anglez, sipas mediave angleze, do t’i kërkojë Mutusë gati 12 milionë euro, për shkak të thyerjes së rregullave kontratuale. Çelsi ka ndërmend të kërkojë dëmshpërblim në bazë të rregullores së FIFA-s në lidhje me kontratat dhe dënimeve sportive. Çështja do të kalojë më parë në komisionin e apelit të “Football Association”, që do të vendosë nëse çështja do t’i kalojë FIFA-s. Klubi i Roman Abramoviçit, që e pati blerë Mutunë nga Parma në vitin 2003, për 23 milionë euro, synon të përdorë një rast të ngjashëm të futbollistit argjentinas Ariel Ortega, i cili u pu7shua nga Fenerbahçeja pasi nuk u paraqit në një ndeshje miqësore. Klubi turk i ndaloi lojtarit të firmoste për ekipe të tjera dhe përfitoi, falë vendimit të UEFA-s, 8 milionë e 300 mijë euro. Sipas rregullave të FIFA-s, një lojtar duhet të dëmshpërblejë klubin nëse në tre vitet e para të kontratës thyen rregullat e marrëveshjes “pa një arsye të justifikueshme”.