E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Kavaja” pa motor, nën kontrollin e dallgëve 8-ballëshe

05/03/2005  Rrezikon mbytjen anija, kthehej nga Italia

DURRËS - Një anije tregtare e portit të Durrësit ka përfunduar në mëshirë të dallgëve, pas një defekti që pësoi në motor. Megjithëse nuk gjendej vetëm pak milje larg brigjeve të Durrësit, pas një udhëtimi prej disa orësh, fikja e motorëve ka bërë që anija e tonazhit të vogël të ndiqte, jashtë mundësisë së kontrollit të ekuipazhit, rrymën detare.

Rreziku i mbytjes së anijes me 8 anëtarë të ekuipazhit është diktuar nga trageti “Flaminia” i linjës Durrës-Bari, i cili ka mundur të kapë sinjalin e alarmit të dhënë nga ekuipazhi për

rrezikun që i kërcënohej.

Anija

Anija e transportit “Kavaja”, ka qenë duke u kthyer nga porti i Barit, drejt brigjeve të Durrësit, kur motori i saj është fikur. Burime nga kapiteneria bënë të ditur se anija ishte nisur nga porti italian rreth ors 23.00 të së enjtes dhe duhej të mbërrinte në Durrës rreth orës 07.00 të së nesërmes (dje).

Ndërkohë që “Kavaja” gjendej 14 milje në këndin 240 gradë nga Pika e Sistemit të Vrojtimit, ajo ka pësuar defekt dhe për pasojë është vënë nën ndikimin e detit. Deti, me forcë 8 ballë dhe era me drejtim juglindje, e kanë shtyrë atë drejt detit të hapur, ku edhe mundësia e shpëtimit të ekuipazhit ishte e vogël.

Deklarime nga kapiteneria bëjnë të ditur se anija ishte bosh në rrugën e kthimit, ndërkohë që mësohet gjithashtu se anijes i ishte dëmtuar edhe sistemi i komunikimit me radio për ndërlidhje me kapitenerinë e Durrësit.

Gjithçka për këtë situatë në det, kapiteneria e ka mësuar nga salla operative, e cila ishte vënë në dijeni për alarmin SOS nga trageti “Flaminia”.

Operacioni

Përpjekjet për të realizuar ndërlidhjen me kapitenin e anijes, Petraq Nastasi, kanë qenë të pamundura, ndërsa pronari dhe kapiteni kanë biseduar disa minuta pas aksidentit me anë të celularit.

Pas përcaktimit të vendndodhjes, në afo 30 minuta pas lajmit për rrezikun e mbytjes së anijes dhe ekuipazhit, në det ka dalë një dragë e madhe e Distriktit Detar, si dhe janë vënë në lëvizje të gjitha strukturat përkatëse.

Paralelisht me këtë operacion, mekaniku dhe motoristi i anijes kanë mundur të rindezin motorin, i cili mësohet se ishte fikur nga papastërtitë e lëngut djegës. Megjithatë, draga M-111 e ka shoqëruar atë gjatë gjithë lundrimit drejt brigjeve të Durrësit e gatshme për të ndërhyrë në rast pësimi të ndonjë avarie të dytë. Por anija, e cila do të ankorohej në kalatat e portit në ora 15 të së premtes nuk ka mundur të vazhdojë lundrimin.

Përkeqësimi i motit dhe stuhia detare e nisur në mesditë e ka detyruar ekuipazhin të strehojnë anijen në Kepin e Rodonit, ku do të qëndrojë deri në qetësimin e motit. Shkaqet e plota të rrezikut, me të cilin është përballur anija, e cila ka qenë pa ngarkesë në vajtje dhe në kthim, do të zbardhen pasi ajo të

ankorohet në portin e Durrësit.

Precedentët

21 gusht 2004

SARANDË - Në bregdet, në Sarandë, mbytet anija “Antonio”. Mbytja e tragetit me rreth 80 pasagjerë në bordin e tij, ndodhi pas përplasjes me shkëmbinjtë. Nga pyetja e dëshmitarëve, rezultoi se ekuipazhi i anijes “Antonio”, kishte marrë guximin të punonte me një elikë (dmth., me një motor). Ndërkohë, pas sinjalit për ndihmë, u bë e mundur shpëtimi i gjithë udhëtarëve.

8 shtator 2004

LEZHË – Peshkarexha “Riviera” ka rrezikuar të mbytet në orët e vona të mbrëmjes, në afërsi të bregdetit të Shëngjinit. Pas një defekti në helikë, e ngelur në kushtet e moskontrollit, rreth 4 milje larg, mes dallgëve, dy peshkatarët kanë dhënë sinjalin SOS dhe, pas mëse tre orësh, është bërë i mundur shpëtimi i peshkatarëve dhe nxjerrja e peshkarexhës në breg.

22 tetor 2004

HIMARË – Peshkarexha “Lorela”, me pronar kapitenin e saj, Arben Hoxha, rrezikoi të mbytej në afërsi të Himarës, pas përplasjes me shkëmbinjtë, ndërsa në bordin e saj kishte katër marinarë. Njëkohësisht, për shkak të ngarkesës së madhe, prej 14 mijë litra karburanti në bord, është shmangur një “bombë” ekologjike në gjirin e Himarës, me pasoja të paparashikueshme për gjithë zonën.

19 dhjetor 2004

DURRËS – Peshkarexha “Vlora” me tre persona në bordin e saj, pronë e Qemal Harizit (Beu), zhduket në det dhe gjendet disa ditë më pas e mbytur, rreth 17 milje larg nga porti i Durrësit. Peshkarexha 500 tonëshe ishte nisur nga porti i Triestes, drejt Durrësit. Ndërsa peshkarexha, ishte për riparim në Itali, pritej që të përshkonte rreth 600 milje e të mbërrinte në Durrës.

26 dhjetor 2004

VLORË - Anija gjeorgjiane “Mariana”, rrezikoi të mbytej pranë portit të Vlorës. Shpëtimi i saj u bë i mundur pas një operacioni prej tre orësh të Grupit 28 Detar të Marinës Ushtarake Italiane, e dislokuar në Vlorë. Anija transportonte gaz propan të lëngshëm dhe pasi kishte përfunduar shkarkimin, ishte në pritje të përmirësimit të kushteve të motit, për të rinisur udhëtimin.

13 shkurt 2005

VLORË – Anija “Kapo Marina”, ka rrezikuar të mbytet, ndërsa ka qenë e ngarkuar me gaz të lëngshëm. “Kapo Marina”, anije e një shoqërie italiane, që transporton gaz të lëngshëm, për fat të mirë, nuk është tërhequr nga dallgët në thellësi të detit, apo drejt shkëmbinjve të ishullit të Sazanit e gadishullit të Karaburunit.

4 mars 2005

DURRËS – Anija “Kavaja” përfundon në mëshirë të dallgëve pas një defekti që pësoi në motor, ndërkohë që gjendej 14 milje në këndin 240 gradë nga Pika e Sistemit të Vrojtimit. Pas përcaktimit të vendndodhjes, në afo 30 minuta pas lajmit për rrezikun e mbytjes së anijes dhe ekuipazhit prej 8 vetësh, në det ka dalë një dragë e madhe e Distriktit Detar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›