E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koha e falsifikimeve

05/03/2005  Rexhep Qosja

...Çdo kohë i ka pasur mecenët e vet, si Karlin e Madh, Borxhite, Ludvigun e Bavarisë a Luigjin XIV, Lorenco Mediçin dhe shkrimtarët e oborrit, si Horacin e Rasinin, por vetëm kohës së komunizmit i takojnë "mecenët" të cilët mecenatin e bëjnë partiak e shtetëror dhe shkrimtarët e krijuesit e tjerë, të cilët servilizmin e dëshmojnë jo vetëm me sjellje e me gojë, por edhe me vepra letrare, shkencore e filozofike, qoftë edhe kur kjo prej tyre nuk kërkohej në masën që e dëshmonin. Pavarësisht cilës kohe i takojnë, mecenatet u kushtojnë shtrenjtë shkrimtarëve e krijuesve të tjerë, por mecenati komunist i kishte çmim tmerrësisht të shtrenjtë për veprën dhe jetën e krijuesve: çmim që paguhej me dinjitetin dhe çmim që paguhej me vlerën e veprës! Pas përmbysjes së komunizmit dhe të vlerave ideologjike e politike, me të cilat mbahej ai, ky servilizëm i dëshmuar, kur dhunshëm e kur vullnetshëm, do të bëhet shkak i brejtjes së ndërgjegjes e i mundimeve të tjera të ndryshme të servilëve të dikurshëm. Sigurisht ndërgjegjia e zgjuar (me vonesë të madhe), shumë më pak sesa leverditë e reja në kushtet e ndryshuara, në të cilat shikohen me dyshime lavdëruesit e tij në arte, në shkencë e në krijimtarinë përgjithësisht, do të bëjnë që një numër i shkrimtarëve dhe i krijuesvë të tjerë në ish-vendet komuniste të fillojnë betejën vetjake, për ndryshimin e asaj pjese të jetëshkrimit që i takon kohës se komunizmit: të fillojnë betejën për retushimin, për dramatizimin, për përmirësimin, për zbukurimin e jetes se atëhershme. Hapi i parë që një numër i tyre do të bejnë pas përmbysjes së komunizmit, ishte ndryshimi i besimit komunist: të majtit e dikurshëm, aq të majtë sa nuk mund të drejtoheshin, përnjëherë do të bëhen aq të djathtë sa do të rrëzohen shpejtë! Dhe, konvertimin e tyre të pernjëhershëm do ta dëshmojnë qoftë duke u bërë prijës a zëvendës të prijësve të partive të djathta, qoftë duke u futur nën sqetullat e tyre, qoftë duke shfaqur ide skajshëm të djathta me artikuj a, madje, edhe me vepra. E kuptueshme! E drejta e konvertimit është e drejtë e ligjshme, si e drejta për t'u shprehur lirisht, si e drejta për të besuar lirisht, si e drejta për t'u martuar lirisht, si e drejta për t'u çmartuar lirisht, si e drejta për të qenë gjithnjë krenar -budalla a i mençur- servil. Konvertimin e bëjnë të ligjshëm jo vetëm e drejta e njeriut për të bërë me veten ç'dëshiron të bëjë, por edhe ligjësitë e jetës. Nuk thuhet kot: s'jetohet gjithmonë me një palë mend. Dhe, nuk thuhet kot: në qoftë se je në rrugë të gabuar është më mirë të kthehesh mbrapa, në gjysmë të saj, sesa t'i shkosh deri në fund. E komunizmi ishte ajo rrugë e gabuar prej së cilës duhej dalë një orë e më parë.

Po ta leme konvertimin në të djathtë rehat: më të shumë nga shkrimtarët dhe krijuesit e tjerë të kohës së komunizmit nuk janë bërë rehat, sepse nuk janë bërë të bindshëm për opinionin. Në vend të fjalëve e, madje, edhe të veprave të shkruara, njerëzit shpesh duan dëshmi konkrete, në sajë të të cilave do t'u mbushet mendja që t'u besojnë të konvertuarve. Për këte arsye disa nga shkrimtarët dhe krijuesit e tjerë posaçërisht të çmuar e të përkëdhelur në kohën e komunizmit, janë gjetur në situatë ndërdyshjesh të medha: çka të bëjnë që prapë të bëhen të çmuar, madje të adhuruar si atëhere? çka? Përgjigjjia që i kanë dhënë vetes është kjo: ta ndryshojnë jetëshkrimin e i dikurshëm komunist dhe, kështu, të bëjnë një jetëshkrim të ri sa më të ndryshuar! Demokracia, e shpërdorur shumë prej një numri zyrtarësh, le të shpërdoret pak edhe prej një numri krijuesish!

Të privilegjuarit -të paraqitur si viktima

Dhe, ky do të jetë jo me jetëshkrim i komunistit të privilegjuar, po i viktimës komuniste.

Për nga arsyet e shumta për të cilat e bëjnë, për nga mënyrat e shumëllojshme në të cilat e bëjnë dhe për nga mjetet e ndryshme, me të cilat e bëjnë disa

shkrimtarë të privilegjuar të komunizmit, beteja për ndryshimin e katër jetëshkrimit komunist është pothuaj një betejë e panjohur në historine e letërsisë botërore, prandaj edhe në historinë e letërsisë shqipe. Megjithëse e panjohur, partizanët e saj në të vërtetë zbatuesit e saj do ta bëjnë me shumë shkathtësi dhe me shumë përvojë dhe, gjithnjë, me shumë dinakëri! Dhe, do ta bëjnë me batica e me zbatica, me turre e me pushime, me zë të lartë dhe në heshtje, vetëm dhe me ndihmës, me gazeta, me radio e me televizione, me persona privatë e me institucione shtetërore, me dëshmitarë e me kundërshtarë!

Te shohim si zhvillohet kjo betejë. Të shohim si bëhen ish -komunistët tjetërmendas -kundërkomunistë! Menjëherë pas konvertimit beteja për ndryshimin e

jetëshkrimit komunist do të fillojë me retushime më të pakta a më të shumta, ideologjike dhe politike, të veprave të botuara në kohën e komunizmit: me ndryshime të fjalive, me shkurtime a me plotësime përmbajtësore, me theksime a çtheksime kuptimore e figurative, me zëvendësime të personazheve pozitivë e negativë ideologjike me personazhe të paideologji. Të gjitha këto ndryshime, pavarësisht pse nuk janë të nxitura nga motive thjesht artistike, janë plotësisht të kuptueshme dhe plotësisht të ligjshme. E drejta për ndryshime në vepren letrare, shkencore a fiIozofike, të çfarëdo përmasash qofshin ato, është e drejtë, le ta quajmë, themelore krijuese. Këso ndryshimesh në veprat e tyre shkrimtarët e ndryshëm kanë bërë, dhe vazhdojnë të bëjnë, gjithmonë e gjithkund, deri sa janë gjallë. Pakënaqësia me atë që ke bërë është kusht i përsosjes së saj të mëtejshme. Lirimi i veprës gjuhësore artistike prej barrës ideologjike, politike,

fetare, pedagogjike, gjithmonë do të thotë përmirësim i saj. Mund të thuhet se janë tepër, tepër, tepër të paktë shkrimtarët, që kanë jetuar dhe krijuar në kohën e komunizmit, të cilët nuk kanë nevojë të retushojnë së paku një vepër të tyre. Disa të tjerë, për shkak të përkushtimeve tepër servile komuniste, i kanë qitur vetes aq shumë punë saqë në disa nga veprat nuk mund të bëjnë kurrfarë përmirësimesh: ato janë fillim e fund të mbytura nga ideologjia dhe politika komuniste! Për këtë arsye të privilegjuarit e komunizmit, që e kane filluar betejën për jetëshkrim të ri, do të thotë betejën për ndryshimin e përmirësimin e jetëshkrimit të tyre në kohën e komunizmit, shtrëngohen të bëjnë veprime të tjera, shumë më të thella në krijimtarinë dhe në jeten e tyre.

Siç është dëshmuar gjatë këtyre dymbëdhjetë - trembëdhjetë vjetëve që nga përmbysja e komunizmit, të privilegjuarit e tij, betejën për jetëshkrimin e ri, e bëjne prandaj, edhe në mënyra të tjera e me trajta të tjera letrare: e bëjnë edhe me kujtime për kohen kur ishin heronj krijues të propagandës komuniste, por heronj të

dikurshëm që tani e paraqesin veten si viktima. Lexuesve të vjeter dhe, sidomos, të rinj, u bëhet e mundshme të mësojnë se si heronjtë e dikurshëm krijues kinse nuk

ishin të privilegjuar, po, përkundrazi, ishin viktima: u paraqiten pohime, situata, deklarata, kërkesa, urdhëresa, përjetime, që e tregojnë faqen tjeter, të mundimshme, të jetës së tyre!

Ç' është e vërteta, disa prej tyre ishin viktima të privilegjuara.

Përpos me kujtime, beteja përjetëshkrimin e ri, do të thotë për jeteshkrimin e gjoja të përndjekurit të dikurshëm, bëhet edhe me ditar me data të atëhershme,

por të shkruar sot. Lexuesit me kulturë filologjike, të cilët, natyrisht, nuk janë aq të shpeshtë sot, nuk e kanë shumë të vështirë të shohin se ditari është kontribut i

përtashëm artistik -shkencor për jetëshkrimin e dikurshëm të shkruesit të tij.

Më bindshëm se me kujtime e me ditare të shkruar pas kohës së duhur, që, megjithatë, mund të mos pranohen pa murmuritje të dyshimta jo vetëm të filologëve po edhe të lexuesve të zakonshëm, beteja për jetëshkrimin e ndryshuar bëhet me vepra letrare apo, madje, shkencore të shkruara në kohën e komunizmit, por të botuara tani, në demokraci, mbasi në atë kohë, në kohën e censurës komuniste, nuk kanë mundur të botohen, madje, do të ishte shumë rrezik të paraqiteshin për botim. Në disa raste, në disa vende ish-komuniste, beteja për jetëshkrim të ri, të ndryshuar komunist, është herë me vepra letrare a shkencore të shkruara sot, por të cilave u është venë data e përparshme: e kohës komuniste! Edhe më lehtë se kur është fjala për kujtimet dhe ditarët, lexuesit me kulturë filologjike mund të kuptojnë se kur janë shkruar ato vepra. Të gjitha llojet e falsifikimeve në këtë botë bëhen më lehtë se sa falsifikimet letrare. As gjeniu më i madh ndjenjat, pamjet, përfytyrimet e sotme nuk mund t'i bëjë plotësisht të

djeshme.

Dhe, më tej: përpos me kujtime, me ditare, me vepra letrare a shkencore të botuara sot, por gjoja të shkruara atëhere, në kohën e komunizmit, beteja për jetëshkrimin e

ri në kohën e komunizmit, bëhet edhe duke i përjashtuar plotësisht prej bibliografisë veprat letrare të shkruara për ngjarje komuniste, për figura komuniste e për ideale komuniste, që nuk mund twe përmirësohen në asnjë mënyrë, dhe veprat kritike e teorike, në të cilat gjejnë zbatimin më besnik parimet e realizmit socialist. Le të thuhet se të paktit janë ata shkrimtarë, që kanë jetuar e krijuar në kohën e komunizmit, në mënyre të veçante ata shkrimtarë që ishin të privilegjuar në kohën e komunizmit, të cilët nuk detyrohen sot ta shkurtojnë në këtë mënyrë bibliografinë e krijimtarisë së tyre. Dhe, kjo është fatkeqësi për ta dhe fatkeqësi për letërsitë kombëtare. Çka të bëhet në qoftë se me kujtime, me ditare, me vepra letrare e shkencore të botuara sot, por gjoja të shkruara në kohën e komunizmit, dhe me shkurtime të bibliografive nuk kryhet e gjithë puna në betejën për jetëshkrimin e ri? Çka? Eshtë edhe një mjet që mund të jetë më ndikues në vetëdijen e lexuesve se të gjitha të bërat e sipërtheksuara: është DOSJA! Të kesh patur dosjen në kohën e komunzmit do të thotë shumë, tepër shumë. Të kesh patur dosjen atëhere do të thotë të kesh qenë i dyshimtë, i denoncuar, i përndjekur, sepse nuk je çmuar besnik i ideologjise, i politikës dhe i njëmendësisë komuniste. Por, dosjen nuk mund ta besh vetë; dhe dosjen nuk mund ta shpallësh vetë: dosjen duhet të ta bëjë tjetërkush dhe dosjen duhet të ta shpallë tjetërkush –dikush që ishte dikur, apo që është sot, atje ku bëhen apo ku ruhen dosjet! Mjeshtëria e falsifIkimeve doemos duhet të ngrihet në shkallë më të lartë! Dhe këso falsifikimesh në vendet ish-komuniste kanë ngjarë dhe vazhdojnë të ngjasin! Një gjw, ndërkaq, e harrojnë edhe kërkuesit edhe shpallësit e dosjeve: harrojnë se dosje, në kohën e komunizmit, i jane bërë numrit më të madh të krijuesve, kurse krijuesve të talentuar e të popullarizuar pashmangshëm. Dyshimi në robin e në zotin, në të gjithë e në njërin, ishte parimi i të gjitha parimeve atëhere! Në disa vende komuniste, si, fjala vjen, në Jugosllavinë, është dëshmuar se dosje u janë bërë edhe disave nga figurat më të larta politike e shtetërore!

Krijuesit, sidomos krijuesit e shquar, prej pushtetarëve gjithmonë janë shpallur të dyshimtë sepse janë konsideruar jo besnikë apo jo mjaft besnikë ndaj rendit shoqëror dhe ndaj politikës së tyre. Nuk është shumë e çuditshme pse si të dyshimtë, në shumë rast, ata po trajtohen edhe sot.

Por, edhe shkrimtarët e krijuesit e tjerë, që dëshirojnë të kenë pasur dosje, edhe lexuesit që e kanë kujtesën e mirë, kurse kokën për të mënduar vetë me të,

mund ta dinë se as dosja nuk sjell fitore të sigurtë në betejën për jetëshkrim të ndryshuar, të ri, në kohën e komunizmit. Gjithmonë është e mundshme, që të dhëna për jetën dhe për veprën e të privilegjuarve të komunizmit të jenë ruajtur në dosjet e shkrimtarëve e të krijuesve të tjerë, në arkivat e vetjeve partiake, në kujtimet, në ditaret dhe në shkrimet e tjera të pabotuara të shkrimtarëve, krijuesve e individëve të tjerë.

Kush dhe pse bën betejë për jetëshkrimin e ri

Duket e pabesueshme, por, ja, është e vërtetë se betejë përjetëshkrim të ri, të ndryshuar, të dramatizuar, të përmirësuar, në kohën e komunizmit nuk kanë bërë, dhe nuk e bëjnë, viktimat e komunizmit, por të privilegjuarit e tij: nuk kanë bërë Jan Parandovski, Isak Babeli, Boris Pasternaku, Martin Camaj a Kin Dushi dhe nuk bëjnë Haveli, Millan Kundera, Adem Demaçi, Kasem Trebeshina, Daut Gumeni, Visar Zhiti a Pjeter Arbnori. Jo. Atyre nuk iu duhet jetëshkrim tjetër, jetëshkrim i ri, jetëshkrim i përmirësuar, jetëshkrim tragjik. Jo. Ata dosjet i kanë jetuar! Ata tragjedinë e kanë jetuar! Ata nuk kanë nevojë të flasin për jetën e vet të shkuar: jeta e tyre flet mjaftueshëm për ta. Betejë për jetëshkrim të ri në kohën e komunizmit, për jetëshkrim dramatik, të përmirësuar, të ndryshuar, për jetëshkrim të viktimës, tani, pas përmbysjes së komunizmit, bëjnë sugarët e komunizmit, benjaminët e komunizmit, të çmuarit, të shpërblyerit, të adhuruarit, shumëllojshëm të privilegjuarit, e komunizmit. E kuptueshme! Ata e kanë shfrytëzuar mirë dje komunizmin -pse të mos e shfrytëzojnë sot demokracinë për interesat dhe lavdinë e vet. Përjashtimet janë, mjerisht, shumë të pakta. Vetëm njëri nga të privilegjuarit e komunizmit sovjetik dihet të ketë thënë në fund të jetës: edhe sot nuk kuptoj, dhe kjo më shkakton vuajtje, pse në komunizëm nuk më kanë përndjekur edhe mua siç i kanë përndjekur kolegët e mi...!

Marrë nga libri "Demokracia e shpërdoruar",botimet "TOENA", një shqyrtim kritik mbi gjendjen e demokracisë në shoqërinë shqiptare

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›