E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapelo: Ronaldo e Fabregas, mos u largoni!

Trajneri i kombëtares angleze, Fabio Kapelo, beson se Kristiano Ronaldo dhe Çesk Fabregas do të qëndrojnë në Premiership, pavarësisht interesimit të madh që po shprehin skuadrat spanjolle. Reali i Madridit nuk e ka fshehur admirimin për mesfushorin e Mançester Junajted, ndërsa edhe Barcelona ka tentuar në disa raste të rimarrë Fabregas, që ishte rritur në ekipet zinxhir të katalanëve përpara se të transferohej tek Arsenali. Gjithsesi Kapelo, që vitin e kaluar ishte në krye të stolit madrilen, nuk beson se këta dy lojtarë do të largohen në të ardhmen e afërt nga kampionati anglez. Ai tha: "Mendoj se ata do të qëndrojnë në Angli. Premiershipi u ofron shumë para. Po ashtu, edhe skuadrat si Mançester Junajted dhe Arsenali kanë shumë ambicie dhe gjithmonë synojnë të fitojnë çdo trofe të mundshëm". Në një intervistë për të përditshmen sportive spanjolle "Marca", Kapelo ka folur edhe rreth ndryshimeve kur drejton një klub dhe një përfaqësuese. Në të kaluarën italiani ka drejtuar shumë klube me emër si Milan, Real Madrid, Roma e Juventus, por detyra në stolin e "Tre Luanëve" është e para me një ekip kombëtar. "Ka shumë ndryshime, theksoi ai. Njëri prej tyre është shumë i rëndësishëm: Reali, Milani, klubet e mëdha përfaqësojnë një pjesë të tifozëve, ato kanë mjaft mbështetës, por një ekip kombëtar përfaqëson të gjithë tifozët. I gjithë vendi të mbështet dhe kjo e bën punën shumë të ndryshme". I pyetur nëse kishte diçka që i mungonte nga jeta në Spanjë, Kapelo është përgjigjur: "Nuk e di. Nga të gjitha vendet ku kam jetuar më mungon gjithmonë diçka. Por, e vërteta është se kam qenë me fat, pasi në të gjitha vendet ia kam kaluar mirë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›