Plumba kallashnikovi zyrave të administratës së fabrikës
FUSHË - KRUJË Zyrat e administratës së Fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë kanë qenë objekt i një sulmi me armë, dje rreth orës 19. 30 të mbrëmjes. Burime të sigurta pranë fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë bëjnë të ditur se persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar me armë jashtë mureve të fabrikës së çimentos zyrat e administratës së kësaj fabrike, duke thyer xhamat e dritareve dhe dyerve. Plumbat kanë përshkruar dritaret e administratës, duke rënë edhe në tavolinat e nëpunësve të administratës, të cilët fatmirësisht nuk kanë qenë në atë orë në punë. Personat që kanë qëlluar akoma mbeten të paidentifikuar edhe pse zjarri i armëve ka zgjatur për minuta të tëra, por errësira në momentin e të shtënave u ka dhënë mundësi agresorëve të fabrikës të largohen pa u identifikuar nga rojet e Fabrikës, të cilët nuk u janë kundërpërgjigjur me armë. Të njëjtat burime shprehen se në momentin e sulmit ndodhte edhe ndërrim i turneve në Fabrikë, ku punëtorët po largoheshin nga puna një pjesë e tyre dhe një pjesë tjetër po hynte në fabrikë. Por në momentin që janë sulmuar zyrat e administratës, ata janë strukur pas pjesëve metalike të fabrikës, duke përjetuar çaste vërtet të tmerrshme. Ndërkohë që policia e Krujës është njoftuar menjëherë dhe ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe nisi hetimet për gjetjen dhe arrestimin e autorëve të sulmit. Nuk dihen ende autorët. Ndërkohë që disa herë banorët që jetojnë afër fabrikës kanë protestuar për heqjen e parave që u jepte pronari i fabrikës për dëmet që u shkaktohej atyre nga ndotja e ambientit. Kjo mbetet edhe një nga pistat që policia po punon për gjetjen e autorëve. Interesant është fakti që megjithëse ngjarja ka ndodhur para 24 orësh dhe policia e Krujës ka ngritur pistën hetimore dhe ka dokumentuar ngjarjen, asgjë nuk është deklaruar prej saj, për ngjarjen që ka ndodhur. Disa herë kjo fabrikë është bërë objekt i vendosjes eksplozivi dhe sulmi, por që deri tani nuk ka asnjë të arrestuar për këtë ngjarje. Ngjarja e fundit duket se është edhe një sulm ndaj administratës së kësaj fabrike, e cila fillimisht, pa nisur mirë punë fabrika, u jepte nga 100 dollarë të gjitha familjeve për dëmet që u shkaktonte nga ndotja dhe me vazhdimin e punës filloi të seleksiononte banorët dhe më pas lindën edhe konfliktet.