Kapen 254 kg kanabis, korrieri i shpëton policisë
Sarandë
Kapen 254 kilogramë kanabis sativa, ndërkohë që transportuesi arrin t’i shpëtojë policisë. Mësohet se droga ishte nisur nga Gjirokastra dhe udhëtonte në drejtim të Sarandës. Personi që transportonte drogën, teksa drejtonte automjetin me targa TR 94 87 R, ka ndeshur në pritën e policisë në Urën e Gajdarit. Ndonëse shoferit i është bërë thirrje nga uniformat blu që të ndalojë, ai ka devijuar automjetin për në drejtim të Delvinës. Disa kilometra pasi ka kaluar Urën e Gajdarit, pikërisht në vendin e quajtur Ura e Gjinos, drejtuesi i mjetit e ka braktisur atë dhe ka mundur të largohet, duke i shpëtuar arrestimit. Policia ka gjetur dhe sekuestruar sasinë prej 254 kilogramësh lëndë narkotike kanabis sativa, ndërkohë që mësohet se makina ka qenë në pronësi të Idriz çelës, 24 vjeç, me banim në Sarandë, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Dyshohet se droga vinte nga Lazarati dhe nëpërmjet Sarandës do të trafikohej për në Greqi.
#