Maturantja vetëvritet me armën e babait polic
Korçë
Një maturante pogradecare është vetëvrarë në dhomën e prindërve me armën e shërbimit të babait të saj polic. Akti i vetëflijimit të 18-vjeçares me inicialet D. Xh. është mbuluar me mister. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, rreth orës 18.30 të së martës. Në kohën kur babai nuk ka qenë në banesë dhe pistoletën e shërbimit e kishte fshehur në shtëpi, vajza ka marrë armën për të kryer vetëflijimin. Burimet e policisë treguan se 18-vjeçarja është larguar nga dhoma ku po rrinte me nënën, motrën dhe vëllain e saj, duke u thënë se do të shkonte në dhomën tjetër për të studiuar. Tronditja ka qenë e madhe për familjen, kur nga dhoma është dëgjuar një e shtënë pistolete dhe vajza është gjetur e shtrirë përtokë. Nga të dhënat e familjarëve dhe të shokëve të saj, D. Xh. nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim kohët e fundit, ndërkohë që mbetet enigmë shkaku që ka çuar maturanten të vetëvritej.
#