Kapen 36 celularë te Burgu 313
Etleva Delia
Një vajzë 22-vjeçare u arrestua dje në Burgun 313 në Tiranë, ku kishte shkuar të takohej me të fejuarin e dënuar. Arrestimi është bërë pasi vajza kishte fshehur në një frigorifer që po ia çonte të fejuarit, mes ushqimeve edhe 36 telefona celularë. Zbulimi është bërë nga shërbimi i kontrollit fizik në hyrje të burgut. Frigoriferi, i cili ishte i paketuar, dukej se ishte i mbushur nga brenda, pasi rëndonte dukshëm. Për këtë shkak policët kanë vendosur të bëjnë një kontroll të imtësishëm. Verifikimi ka gjetur 36 telefona celularë të fshehur në frigorifer. Policia tha se ka arrestuar menjëherë 22-vjeçaren Fabiola Musai, e cila shkonte në burg për të takuar të fejuarin Klodian Meraja. Vajza do të qëndrojë edhe ajo për një kohë pas hekurave të qelive, me akuzën e dhënies ndihmë një të burgosuri për largim. Punonjësit e sigurisë së burgut, menjëherë pas zbulimit të celularëve, njoftuan shërbimet e Komisariatit nr.3, të cilët kanë kryer arrestimin e 22-vjeçares nga Durrësi. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar destinacionin e 36 telefonave celularë, duke mos përjashtuar një plan arratisje apo edhe shitjen e tyre brenda qelive të burgut në mënyrë ilegale.
ZBULIMI
Mesditën e djeshme, në kohën kur në Burgun 313 sapo kishte filluar orari i vizitave për të burgosurit nga familjarët, 22-vjeçarja Fabiola Musai, pasi ka ardhur nga Durrësi, është paraqitur për të takuar të fejuarin Klodian Meraja, që ndodhet në Burgun 313. Vajza kishte marrë me vete një frigorifer, të cilin do e dorëzonte për të fejuarin e saj. Siç duket autorët e ngjarjes kishin menduar se askush nuk do të dyshonte për të verifikuar pajisjen në të cilën ishin montuar në mënyrë të padukshme 36 telefona celularë. Në momentin kur punonjësit e sigurisë së burgut po bënin kontrollin fizik të frigoriferit, duke e kaluar në skaner atë, sinjali i aparaturës së kontrollit është aktivizuar. Në këtë moment shërbimi i sigurisë ka nisur të çmontojë çdo pjesë të frigoriferit dhe ka zbuluar se në pjesën e pasme të tij ishin fshehur telefonat celularë, që dyshohet se i dënuari Meraja mund t’i ketë kërkuar për t’i shitur brenda qelive të burgut. Punonjësit e Burgut 313 kanë njoftuar menjëherë shërbimit e Komisariatit nr.3, të cilët kanë arrestuar në flagrancë Fabiola Musain me akuzën e “dhënies ndihmë një të burgosuri për largim”.