“Si më rrahu ushtari i Aldo Bares”
Armand Bajrami
“Unë kisha hyrë atje ku nuk mund të dilje më gjallë. Po të ikja tre hapa ata do të më masakronin. E kisha vdekjen të sigurt. I trembesha Divjakës. Kisha dëgjuar se i çojnë atje, i vrasin dhe i groposin”. Dëshmitari Mirko Gjejvani tregoi dje para gjykatës për Krimet e Rënda tmerrin e përjetuar teksa ishte rrahur, kërcënuar dhe më pas persekutuar për muaj me radhë nga Arjan Aliço, një nga të akuzuarit si anëtarë të “bandës së Lushnjës”. I thirrur si dëshmitar nga Prokuroria, Gjejvani iu përgjigj për 30 minuta palëve në procesin në ngarkim të së akuzuarve si anëtarë të kësaj bande. Historia ka nisur pasi dëshmitari aksidentalisht kishte gërvishtur automjetin e Aliços, dëm që sipas dëshmitarit, nuk kushtonte më shumë se 15 mijë lekë të vjetër.
DESHMIA
“Ngjarja ka ndodhur në pranverë ose në verën e vitit 2002. Shkova në shtëpi në fshatin Plug të Lushnjës dhe mora vesh nga mamaja ime që kishin ardhur disa persona me një makinë të zezë dhe më kishin kërkuar. Unë nuk kam pasur probleme me njëri. Kur kishin ardhur ata në shtëpi ishte vajza e dajës. Ajo më tha së ishin njerëz të frikshëm dhe nuk ua kishte hapur derën. Unë dola me Lulzim Buzin për të larë makinën. Ishte një BMW 324. Teksa ishim duke kaluar pranë “Blerimi”-t në Lushnjë më del përpara një fuoristradë ngjyrë bizele, e cila ishte makina e drejtorit të ujërave. Atë e mbante gjithmonë i biri i tij, të cilin e njihja si fytyrë. Ai zbriti nga makina. Bashkë me të ishte edhe Sajmir Aliço, i vëllai i Arjan Aliços. Mbrapa ishin tre persona të tjerë që nuk i njihja. Sajmiri më doli para e më tha: na ke thyer një stop dhe duhet të na e paguash. Pranova të paguaj dëmin. Më tha ta ndiqja mbrapa me makinë. Ashtu bëra. Në hyrje të Lushnjës, tek ura ndaluam. Më doli para Arjan Aliço. Më mbërtheu prej krahut dhe më tha: Ti je Mirko Gjejvani? Më kapi dhe më çoi në një ngushticë pas një pallati. Aty ishin shkurret e një përroi që kalonte pranë. Pallati ishte pak metra larg Komisariatit të Policisë. Aty pranë ishte edhe ai që quhej atëherë “Komisariati nr.2”. Unë u terrorizova. Nuk flisja dot. Bashkë me Arjanin ishte edhe Bledar Flamuri. Arjan Aliço më kërkonte 13 milionë lekë. “Do të më paguash furgonin”, më thoshte. Aty i thashë: Ju po më vendosni gjobë? Ata më gjuanin me mjete të forta. Nga goditjet u gjakosa në pjesën e gojës. Mbaj mend që gjaku që më dilte nga goja, pasi më goditën fort, ra në mëngën e këmishës së Arjanit. “Më ke bërë këmishën e firmës pis”, tha i nervozuar Arjani. Qëndroja në pozicionin me gjunjë në tokë. Nuk më linin të ngrija sytë dhe t’i shikoja pasi më godisnin.
Ndërsa “ushtarët” e tyre, djem nga 19-20 vjeç vinin e iknin, Arjani thoshte: “Ta çojmë tek pylli në Divjakë”. Pas kësaj arrita të gjej 2 milionë lekë të vjetra borxh. Ato i mora borxh tek Artan Bendo. Tek Bendo shkova i shoqëruar nga Sajmir Aliço. Kur më pyeti Bendo për paratë i thashë që “jam përplasur me këta çunat dhe duhet t’u paguaj makinën”. Ai më besoi se njiheshim prej kohësh. Sajmiri më dërgoi edhe në spital të mjekohesha. Ai nuk ushtroi dhunë ndaj meje dhe madje as nuk më foli fare. Teksa ishim duke shkuar të merrnim lekët na ndaloi një patrullë policie. Unë nuk kisha guximin t’i thosha gjë policit. Polici më pyeti se ç’kisha. I thashë që kisha bërë aksident e po shkoja në spital, ndërkohë që Sajmiri më kishte shtrënguar tek pjesa e brinjës mos “gaboja” fjalë.
Lekët ia dorëzova Arjan Aliços. Deshi të më mbante edhe makinën, por me insistimin e Sajmirit e mora makinën time.
Ata më godisnin me mjete të forta. Nuk më linin të shikoja. “Mos më shiko në sy”, më bërtiste Bledar Flamuri.
Pas disa ditësh, ndërsa ende nuk më ishin ngjitur brinjët e thyera nga dajaku erdhi Nake Bakiasi. Ai më tha që Bledar Flamuri i kishte thënë se i kisha marrë 800 dollarë njërit në Tiranë dhe nuk ia kisha kthyer. Do ia japësh Bledar Flamurit. Unë fillova të qaj para tij. I thashë që ‘pak më keni masakruar. Boll u morët me mua. Më lini të qetë tani”. Ai mori Bledarin në telefon. U përshëndet me të. E mbaj mend të gjithë bisedën. I tha që ‘më bëhet qejfi që je mirë dhe pranë familjes. Pastaj i tha që ‘këtë punën e 800 dollarëve e zgjidha unë’.
Pas 4-5 ditësh erdhi Bledar Flamuri. Unë po laja makinën në një lavazh aty pranë. Erdhi me një “Benz”. Më tha nga larg: atë 800 dollarëshin mos kujto se do ta harroj. Do të shihemi.
Muaj më pas Arjan Aliço, erdhi me disa persona në të njëjtin lokal ku unë isha duke pirë kafe. Unë desha të ikja pa u ndier. Por në momentin që po çohesha preka një karrige, e cila u rrëzua me shumë zhurmë. Më thërriti Arjani. Filloi të më thoshte: Je polic ti ë? ke bërë denoncim për ne ti ë? Në këtë moment një nga personat që ishte me të u ngrit në këmbë. Unë në mënyrë instiktive u shmanga. Ai më tha: Nuk gjuaj unë po nuk më tha Arjani. Ndërkohë Arjani vazhdonte të më kërcënonte me fjalë. I thashë që të më linte rehat.
Shkova edhe njëherë në polici dhe bëra kallëzim. Pasi u ula në një vend, pashë që policia shkoi dhe i mori, po nuk di ç’është bërë më me ta. E pashë edhe njëherë tjetër Arjanin në Plug. Më kërkoi të ulesha të pija diçka në tavolinën e tij. ‘Jo –i thashë unë- je shumë xhentil”, dhe u largova.
Prokuroria humbet dëshminë e Selmanit
TIRANE – Prokuroria për Krimet e Rënda humbi një nga dëshmitarët kryesorw me të cilët faktonte krimet e të akuzuarve si anëtarë të “bandës së Lushnjës”. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje të revokojë vendimin e ndërmjetëm të marrë prej saj një vit më parë për pranimin e dëshmisë së Gramoz Selmanit. Në rastin e Selmanit gjykata kishte pranuar leximin e deklarimeve të dhëna prej tij në ambasadën shqiptare në Athinë. Që prej tetorit të vitit të kaluar, kur Gjykata administroi në dosje deklarimet e Selmanit, mbrojtësit protestuan duke pohuar se Selmani ishte person në kërkim ai autor i gjashtë vrasjeve. Si rezultat gjykata u angazhua në rrugë zyrtarë për saktësimin e pozitës penale të Gramoz Selmanit. Për këtë gjykata iu drejtua për verifikim Prokurorisë së Lushnjës, Prokurorisë së Elbasani si edhe Prokurorisë së Përgjithshme. Pasi mori dhe shqyrtoi përgjigjet e ardhura nga këto institucione Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje revokimin e vendimit. “Megjithëse Gramoz Selmani ka marrë statusin e të pandehurit në një procedim të lidhur, nuk ekzistojnë akte, që ndaj tij është filluar gjykimi, apo është dërguar për gjykim”, arsyetoi dje kryesuesja e seancës, gjyqtarja Marsela Balili. Referuar këtij fakti dhe Kodit të Procedurës, Gramoz Selmani nuk duhet të merrej si i pandehur në proces.
Avokatët mbrojtës në këtë proces kishin paraqitur disa herë memo ku këmbëngulnin se Selmani akuzohej për gjashtë vrasje, se ndaj tij ishte nisur procedim penal dhe se ekzistonte një masë arresti në mungesë. Sipas referimit të gjykatës, Selmani kishte qenë i pandehur në një procedim të lidhur, por ishte e paqartë pozita e tij aktuale penale. Në dëshminë e tij, të rrëzuar tashmë, jepte detaje mbi disa prej vrasjeve që akuzohet “banda e Lushnjës”. ar.ba
Krimet, dëgjohen edhe pesë dëshmitarë
Gjykata për Krimet e Rënda dëgjoi dje edhe dëshmitë e pesë personave të tjerë, banorë të Lushnjës. Lulzim Buci, Jakup Demiri, Konstandin Lluko, Kapllan Haxhiu dhe Besnik Shehu dhanë shpjegimet e tyre para togave të zeza në lidhje me dijenitë e tyre rreth anëtarëve të “bandës”. Jakup Demiri, polici i cili kishte parë dëshmitarin Mirko Gjejvani në automjetin e Sajmir Aliços tha se nuk kishe mundur të diktonte gjë. “E pashë të gjakosur dhe të mavijosur. E njihja vetëm si fytyrë, pasi jetonte pranë vendbanimit tim. Më tha se ishte aksidentuar dhe po shkonte në spital”, tha Demiri.