E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larje hesapesh, gjenden të vrarë dy shqiptarë në Itali

 

ITALI – Të ekzekutuar në një mënyrë tipike mafioze, me tre plumba në kokë dhe të hedhur në një kanal. Ka qenë ky fati tragjik i dy të rinjve shqiptarë në Modena të Italisë, trupat e të cilëve janë gjetur të dekompozuar brenda një automjeti të rënë në një kanal. Lajmi është publikuar dje nga mediat e vendit fqinj, ndërsa mësohet se vrasja e dy shqiptarëve është kryer dy javë më parë. Referuar mënyrës së vrasjes, pista kryesore e prokurorisë është ajo e “larjes së hesapeve”, ndërsa bëhet e ditur se të dy të rinjtë nuk ishin “lakuar” si tipa problematikë. “Viktimat janë Nikolla Ekonomi, 27 vjeç dhe Shkëlzen Allkja, 20 vjeç, të dy banues në Modena. I pari jetonte me familjen në rrugën ‘Emilia’ dhe tjetri në një apartament në rrugën ‘Paganini’”, citonte dje e përditshmja “Gazzetta di Modena”. Mësohet se fillimisht vdekja e dy të rinjve është menduar se ka ardhur si rezultat i një aksidenti rrugor. Por pas autopsisë, në kafkën e njërit prej tyre është vënë re vrima e shkaktuar nga një plumb, ndërsa në kafkën e tjetrit dy të tilla. Trupat e pajetë të dy shqiptarëve janë gjetur brenda bordit të një automjeti “Fiat punto”, në kanalin “S. Matteo”. Sipas policisë së vendit fqinj, për shkak të qëndrimit të gjatë, trupat kishin nisur dekompozimin, ndërsa në to nuk shquheshin shenja të dukshme dhune. Por një ekspertim më i imët ka dalluar shkakun e vërtetë të vdekjes. “Të dy të ekzekutuar nga afër”, citonin mediat italiane. Mësohet se të rinjtë “kishin humbur gjurmë” 15 ditë më parë. Ata kishin dalë së bashku për të festuar përfundimin e pushimeve. Denoncimi në polici është bërë nga babai i njërit prej tyre. Sipas hetuesve, referuar mënyrës së ekzekutimit, të rinjtë duhet të kenë qenë futur në “telashe të mëdha”. Mësohet se të dy shqiptarët nuk kanë qenë tipa problematikë me ligjin dhe se nga komuniteti ku jetonin njiheshin si punëtorë të përgjegjshëm. Vetëm Ekonomi në vitin 2006 ishte përfshirë përciptazi në një problem të vogël me drejtësinë në lidhje me klonimin e disa kartave. Mësohet se hetuesit do të administrojnë filmimet e kryera nga kamerat e sigurisë në rrugë për të zbuluar personat e fundit me të cilët kanë qenë dy shqiptarët.                        a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›