“Ruletë ruse”, 37-vjeçari plumb kokës
DURRES/ OERD ULQINI
“Ruleta ruse” shkakton dramë në një familje durrsake. Plumbi i vetëm në një pistoletë me mulli ka përshkuar tejpërtej kokën e 37-vjeçarit G.Koçi. Duket se ka qenë një lojë me “zjarrin” ajo që është shndërruar befas në një tragjedi për familjen Koçi, e cila banon në hyrje të Durrësit. Policia lokale njofton se gjithçka ka nisur pas konsumimit të tepruar të alkoolit. Mendohet se pasi kanë dëfryer nga nata deri në agim, kryefamiljari sugjeron lojën e ruletës, pjesë e së cilës u bënë dhe bashkëshortja dhe një mikeshë e familjes. Nga arma e vjetër janë hequr 6 fishekë, për të lënë në të vetëm njërin. Mulliri rrotullohet dhe është vetëm shorti ai që vendos nëse shkrepja është fatale apo jo për personin që shkel këmbëzën. Policia bën me dije se G.Koçi e ka drejtuar tytën e pistoletës te tëmthi i vajzave, por fati është treguar i mëshirshëm me to, duke i kursyer nga plumbi. Në një gjendje gazi dhe hareje, 37-vjeçari provon shkrepjen e armës në kokën e tij. Plumbi i kalibrit të rëndë i përshkon kokën, duke goditur më pas edhe muret. Ai mbytet në gjak në pak sekonda. Këtë version e konfirmon edhe policia e Durrësit. Burime zyrtare nga grupi hetimor kanë dalë në konkluzionin e deritanishëm se i plagosuri dhe dy familjarët po luanin me pistoletën me mulli. Rreth orës 11:00 të paradites shtetasi G. Koçi, baba i një fëmije është shtruar me urgjencë në sallën e operacionit, për të minimizuar hemorragjinë dhe dëmet e rënda të pësuara në kokë. Pacienti është akoma në gjendje tejet kritike për jetën, ndonëse mjekët e Durrësit kanë bërë të pamundurën.
Nisur nga mekanizmi i ngjarjes dhe pistoleta me mulli, e cila ka realizuar një qitje të vetme, hetuesit dyshojnë se kryefamiljari po luante lojën e “ruletës ruse”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë ujësjellësit të Durrësit, kur në orën 10:55 minuta nga një pallat janë dëgjuar të bërtiturat e dëshmitarëve. Në atë apartament ku po luhej loja e rrezikshme, veç viktimës gjendej edhe bashkëshortja e tij si dhe një mikeshë e saj. Kanë qenë ato të cilat lajmëruan urgjencën e spitalit dhe shoqëruan më pas të plagosurin në sallën e operacionit. Sipas hetuesve të policisë së Durrësit, nga informacionet e deritanishme nuk bëhet fjalë për vetëvrasje klasike dhe të dëshiruar nga G. Koçi, por për një lojë e cila njihet si “ruleta ruse”. Hetuesit e bazojnë tezën e “ruletës ruse” mbi mekanizmin e ngjarjes, si dhe faktin që fishekët e tjerë të pistoletës ishin të vendosura mbi tryezë. Policia ka marrë deponimet e dy vajzave, të cilat duket se vërtetojnë hipotezën e ngritur nga hetuesit mbi lojën e rrezikshme.