Kapen 40 kg hashash, pranga 23-vjeçarit
GJIROKASTËR- Një tjetër sasi lëndësh narkotike kapet brenda një jave në rrethin e Gjirokastër. Operacioni “Vazhdimi” bëri të mundur sekuestrimin e 40 kilogramëve drogë të llojit marijuanë dhe arrestimin e transportuesit të saj, që përpiqej t’i shmangej policisë me disa simbole të sektorit të qarkullimit rrugor të vendosura në makinë. Kapja e sasisë së lëndës narkotike u bë në aksin kombëtar Gjirokastër- Tepelenë. Pas marrjes së një sërë informacionesh në rrugë operative për transportimin e mundshëm të një sasie droge, u planifikua dhe më tej u vu në zbatim operacioni i koduar “Vazhdimi”, nga specialistët e Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Ky operacion vijon një tjetër të mëparshëm të koduar “Fillimi”, që kishte po të njëjtin qëllim. Zëdhënësi i policisë u shpreh se pas informacioneve të marra në rrugë operative, se një automjet që lëvizte në aksin rrugor Gjirokastër - Tepelenë mund të transportonte lëndë narkotike, specialistët organizuan punën dhe u vunë në ndjekje të tij. Në vendin e quajtur fusha e Shtëpëzit, afër kantierit të ndërtimit të autostradës në segmentin rrugor Gjirokastër -Tepelenë, ata ushtruan kontroll në mjetin e dyshuar. Pas kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Benz”, me targa DR 80 44 D, të falsifikuara, dhe që lëvizte nga Gjirokastra në drejtim të Tepelenës, u gjetën 4 pako në formë katrore të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe. Brenda pakove ndodhej lëndë narkotike e dyshuar si marihuanë. Pas peshimit rezultoi se secila pako kishte 10 kilogramë lëndë narkotike. Menjëherë pas gjetjes së drogës u bë edhe ndalimi i drejtuesit të mjetit, njëkohësisht transportues i saj, 23-vjeçarit Astrit Kermezo, lindur në Shkodër e banues në qytetin e Gjirokastrës. Mësohet se për t’iu shmangur postblloqeve të policisë, drejtuesi i automjetit kishte vendosur në makinë një tabelë policie të qarkullimit rrugor dhe një jelek fosforeshent po të policisë rrugore. Tashmë 23-vjeçarit i duhet të përballet me veprën e “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Ky është rasti i katërmbëdhjetë i kapjes dhe sekuestrimit të lëndëve narkotike në qarkun e Gjirokastrës brenda këtij viti, ku janë sekuestruar gjithsej rreth 1800 kilogramë drogë. Në pranga janë vënë 12 persona, prej të cilëve dy të huaj: një grek dhe një kazakistanas.