E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapen 5 kg heroinë, katër në pranga

22/04/2005  Policia kontrollon banesën e çiftit Leçini në "Ali Demi", anëtarët pjesë e trafikut ndërkombëtar

TIRANË- Nga një kontroll i befasishëm në një banesë në rrugën "Ali Demi" janë kapur rreth 5 kilogramë heroinë e pastër. Në këtë mënyrë u frenua një trafik ndërkombëtar narkotikësh, i cili realizohej nëpërmjet një çifti kryeqytetas, një djaloshi rreth 25 vjeç dhe kreut të organizatës, emri i të cilit nuk publikohet, pasi ai po pyetet për lidhje të mundshme me bosët e heroinës në Romë. Operacioni i djeshëm u organizua nga ekspertët e Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, nga të cilët janë vënë nën pranga 4 persona, njëra prej të cilëve është një 32-vjeçare e quajtur Zana Leçini dhe bashkëshorti i saj, Tajar Leçini, ndërsa burimet sqaruan se aksioni ende vazhdon me intensitet, pasi mendohet se ky grup vepron në të gjithë kryeqytetin. Në fazat e para të aksionit janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës 15 persona, disa prej të cilëve, pas verifikimeve paraprake janë lënë të lirë. Sipas burimeve nga Antidroga, një nga personat e shoqëruar quhet Besnik Braka. Gjithashtu edhe pse tepër të rezervuar në informacionet e tyre, burimet e policisë thanë, se është sekuestruar një makinë e tipit "BMW" në pronësi të njërit prej të arrestuarve.

Hetimi dhe aksioni

Prej disa muajsh, sipas burimeve të Antidrogës, mbahej nën survejim banesa e çiftit Leçini, për të cilën agjentët kishin informacione se mund të dispononin drogë. Ndërkohë, nëpërmjet agjentëve të rinj në moshë të Antidrogës, të infiltruar në këtë rrjet ishin zbuluar edhe lidhjet mes njëri-tjetrit, ndërsa informacioni mbahej sekret. Pas konsultimit me specialistët e Ministrisë së Rendit, ekspertët e Antidrogës në Tiranë kanë marrë një urdhër në orët e vona të natës të së mërkurrës, ndërsa ishin piketuar emrat e të dyshuarve. Sakaq, fillimisht në orët e para të mëngjesit të djeshëm u kontrollua banesa e Tajar dhe Zana Leçinit, në të cilën nuk është gjetur lëndë narkotike, e më pas grupet paralele ushtruan kontrolle në banesën e kreut të organizatës, ku gjetën BMW-në dhe një qese të bardhë me rreth pesë kilogramë heroinë. Tashmë pista e organizimit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike nuk i ka frenuar oficerët e policisë të kërkojnë urdhër-arreste të tjera nga prokuroria, pasi janë piketuar edhe disa trafikantë të tjerë, të cilët sipas burimeve policore do të arrestohen së shpejti. Një burim nga Antidroga tha se "Bosi i kësaj linje trafiku nuk ka pranuar të japë shpjegime dhe mësohet se një ndër avokatët më të mirë në Shqipëri do ta mbrojë në proceset e tij gjyqësore, nëse dosja shkon në gjykatë"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›