Pranga dy minorenëve nga rrethet, vidhnin në Tiranë
19/03/2005 Kapen dy hajdutë minorenë me banim në rrethe, të cilët akuzohen nga policia se në mënyrë të përsëritur kanë vjedhur dyqane të ndryshme në kryeqytet. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilat thanë dje se uniformat blu të Komisariatit nr.2 kanë arritur të vënë në pranga S.S., 12 vjeç, me banim në Korçë dhe K.C., 13 vjeç, me banim në Vlorë, të cilët akuzohen për vjedhje me thyrje. Sipas policisë, janë gjetur prova materiale që vënë para përgjegjësisë dy minorenët për vjedhjen me thyerje të farmacisë në bulevardin “Bajram Curri”, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë. Nga hetimet dhe verifikimet paraprake rezulton se dy të prangosurit dyshohen edhe për vjedhje të tjera të ndodhura në kryeqytet. Mendohet që ata ta kenë përqendruar aktivitetin e tyre në Tiranë me qëllim humbjen e gjurmëve, pasi ktheheshin në vendlindje, sqarojnë burimet.