E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen dy grupe trafikantësh në Itali dhe Greqi

Dy operacione antidrogë janë zhvilluar dje në Itali dhe Greqi, duke sjellë arrestimin e dy grupeve shqiptare. Një shqiptar 35-vjeçar u arrestua mëngjesin e djeshëm nga policia italiane me një sasi droge në makinë, e cila kap vlerën e 8 milionë eurove. Ervis Petro udhëtonte nga Spanja me automjetin e tij tip "BMW X5", kur agjentët e Antidrogës kanë ushtruar kontroll në makinë në hyrje të territorit italian. Si pasojë e verifikimeve të policisë, në automjetin e shqiptarit është gjetur një sasi prej 19 kilogramë kokainë e pastër. Policia ka marrë masën e arrestit menjëherë për 35-vjeçarin. Kontrolli në automjetin e tij është bërë pas sinjalizimeve të policisë spanjolle për praninë e lëndës narkotike në makinë. Shqiptari ka hedhur poshtë akuzat e policisë italiane. Në deklarimet e dhëna pas arrestimit, ai ka thënë se makinën e kishte blerë të përdorur dhe se nuk ka pasur dijeni për lëndën narkotike që ishte fshehur brenda saj.
Ndërsa një tjetër organizatë e trafikut të lëndëve narkotike ka rënë në rrjetën e Antidrogës greke. Ngjarja ndodhi në zonën Vula të kryeqytetit helen. Sipas policisë helene, katër shtetas shqiptarë janë vënë në pranga, ndërsa vazhdon operacioni për kapjen e anëtarëve të tjerë të bandës. Blutë e Athinës thonë se kanë vënë në pranga anëtarët e një familjeje. Ata janë Miho, Agron dhe Ifi Kotorri, të moshave 29-41 vjeç, ndërsa emri i personit të katërt nuk bëhet publik për shkak të hetimeve që ende vazhdojnë, pasi agjentët e cilësojnë atë si një ndër krerët e organizatës dhe njëkohësisht nyje lidhëse me disa organizata të tjera të trafikut të narkotikëve në kryeqytetin helen. Në cilësinë e provës material u sekuestruan 3.5 kilogramë heroinë, 10 kilogramë kanabis, disa kilogramë përzierës të lëndës narkotike dhe një shumë parash. Agjentët thonë se droga ka hyrë në Greqi nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës, në bordin e një veture e cila u sekuestrua. Ajo është e një cilësie të lartë dhe e paketuar në pako 0.5 kilëshe. Të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre iu dërguan Gjykatës së Athinës, e cila vendosi masën "burg pa afat", deri në përfundimin e hetimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›