“MJAFT”, protestë me letër higjienike përpara Kryeministrisë
Aktivistët e lëvizjes “MJAFT” zhvilluan dje një protestë përpara selisë së Kryeministrisë. Ata mbuluan një pemë pranë kësaj selie me letër higjienike, në të cilën ishte stampuar fytyra e kryeministrit. Ata ironizuan kështu, rreth mesditës, “sugjerimin” e Berishës dhënë opozitës në Kuvend që gazetën “The New York Times”, në të cilën ishte shkruar për trafikun e armëve në Shqipëri, ta përdornin si letër higjienike. “Ne ndihemi të fyer nga ky person i papërgjegjshëm, nga fjalori dhe veprimet e tij para dhe pas tragjedisë së Gërdecit”, - tha Arbër Zaimi, aktivist i lëvizjes MJAFT. “Ne nuk e njohim fare këtë njeri për kryeministër, i cili nuk ka më cipë e turp as nga ato që thotë e bën vetë në sytë e të gjithë botës”, - shtoi ai para gazetarëve. Reagimi i lëvizjes MJAFT erdhi pas deklaratës së kryeministrit Berisha në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë diskutimeve në seancën parlamentare, e cila kishte në vëmendje artikullin e “The New York Times” për trafikun e armëve në Shqipëri dhe akuzat ndaj kryeministrit Berisha, ky i fundit iu drejtua deputetëve të opozitës duke thënë për gazetën amerikane “Mbajeni për letër higjienike”.
31 Mars 2008