E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: ”Më 3 prill jemi në NATO, po hapet perspektivë”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur se Shqipëria ka për të marrë ftesën për të qenë pjesë e NATO-s. Në një prononcim për mediat, kreu i Kuvendit shpreh bindjen e plotë se vendi ynë do të jetë së shpejti pjesë e aleancës politike dhe ushtarake më të rëndësishme në glob. “Në fakt, vite më parë, edhe për optimistin më të madh, marrja e ftesës për në NATO ishte shumë e largët, gati e pamundur. Besoj se Bukureshti është kësaj radhe vendi ku do të kthehet përgjigjja e meritës dhe përpjekjeve 17-vjeçare për të gjithë progresin e realizuar në demokracinë funksionale tashmë në Shqipëri, për reformat e ndërmarra në shtetin ligjor, në forcat ushtarake, në mënyrë të veçantë për kontributin që forcat tona ushtarake kanë sjellë së bashku me misionet e tjera partnere në Afganistan, Irak e Bosnjë. Me marrjen e ftesës më 3 prill, dhe besoj se shanset janë shumë të mëdha, kjo do të thotë se marrim përgjigjen e meritës së progresit të reformave, por në të njëjtën kohë kjo nënkupton një axhendë të re për politikën shqiptare”, - u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit shpreh bindjen se NATO-ja do të hapë perspektivën në Shqipëri. “Vetë NATO-ja në Samitin e ardhshëm do hapë një debat mbi perspektivën, por dhe mbi sfidat e mëdha që ajo është e detyruar t’ia njohë vetes, me gjithë partnerët e saj në këtë shekull të ri. Ajo që unë konsideroj si shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe që përjetohet në mënyrë të veçantë dhe me një sens të madh përgjegjësie, por dhe me sensin e meritës, është fakti se të bëhesh pjesë e asaj që është aleanca e lirisë, për shqiptarët në mënyrë të veçantë ka një substancë krejt të ndryshme nga shumica e vendeve të tjera, meqenëse ne lirinë e kemi jetuar më pak se kushdo tjetër gjatë historisë”, - tha Topalli për mediat.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›