E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen dy shqiptarë me 18 kg kokainë

Dy emigrantë shqiptarë janë arrestuar në Itali për trafik droge. Ardian Gjini, 29 vjeç, klandestin në Itali dhe Ervin Shini, 31 vjeç, janë arrestuar nga policia e Bolonjës gjatë një operacioni blic që rezultoi në sekuestrimin e 18 kilogramëve kokainë. Droga u gjet në makinën e tyre tip "Mercedes Benz" brenda serbatorit të saj, ndërsa një pjesë e vogël ishte vendosur edhe në bagazh. Një tjetër person është arrestuar gjatë këtij operacioni. Ai është rumuni Florin Emilian Dobros, 22 vjeç, i cili rezulton të jetë bashkëpunëtor i dy shqiptarëve. Sipas autoriteteve të Bolonjës, bëhet fjalë për një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës në vitet e fundit në Bolonja. Droga e cilësisë së lartë vinte nga Belgjika dhe ka një vlerë rreth 35 mijë euro për kilogram dhe rreth 1.5 milionë euro për një pako. Gjithsej u sekuestruan 60 pako me kokainë. Shqiptari Ervin Shini konsiderohet kreu i kësaj bande të trafikimit të drogës dhe i akuzuar për një sërë krimesh si trafik droge, por edhe për shfrytëzim prostitucioni. Përveç drogës u konfiskuan dhe rreth 96 mijë euro kesh. Autoritetet thanë se Bolonja nuk është vetëm një vend transit i drogës, por një pjesë e mirë e saj shitet për tregun vendas, veçanërisht në Emilia Romanja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›