E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, pranga shefit të auditit të burgjeve

Shefi i Auditit të Brendshëm në Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohet për korrupsion. Ai është kapur dje në një lokal me një ish-punonjës së Burgut të Shën Kollit në Lezhë, duke i marrë 100 mijë lekë me pretendimin për ta rikthyer sërish në detyrë. Nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve ka shkarkuar sërish nga detyra kreun e Burgut të Rrogozhinës, i cili dyshohet për korrupsion. Në lidhje me rastin e parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur zyrtarisht se Drejtoria Kundër Krimit Financiar, në bashkëpunim me Policinë e Qarkut Lezhë kanë përfunduar me sukses operacionin e koduar "Shën Kolli" për arrestimin e shtetasit Artur Brahaj, 39 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Tiranë. Brahaj ishte me detyrë përgjegjës i Auditit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe me arsim të lartë Ekonomik. Sipas të dhënave hetimore, arrestimi i tij u krye pasi dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. "Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi Artur Brahaj, duke ushtruar detyrën si përgjegjës i Auditit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve i ka marrë një shtetasi 100 mijë lekë, kundrejt lëvrimit të një fondi për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor për largimin e padrejtë nga puna", deklaroi zyrtarisht policia. Sipas të dhënave hetimore, ai u kap në një lokal te zona "Vasil Shanto", kur ishte bashkë me ish-punonjësin e Burgut të Shën Kollit, që sapo i kishte marrë 100 mijë lekë. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për hetime të mëtejshme. Nga ana tjetër, drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Ylli Zdrava, është shkarkuar sërish dje nga detyra. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, e shkarkoi Zdravën për ta lënë atë në dispozicion të drejtësisë, pasi akuzohet për akte korruptive dhe shpërdorim detyre. Gjatë një denoncimi publik, emisioni "Fiks Fare" publikoi videon e shoferit të drejtorit Zdrava që kërkonte në emër të shefit të tij 500 euro në këmbim të disa ditëve leje për të burgosurit. Drejtori i Burgut të Rrogozhinës ishte shkarkuar më parë nga detyra, por ishte rikthyer nga ministri i mëparshëm Alibeaj, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›