Rikthehen grabitjet me dhunë, vidhen dy persona
Rikthehen vjedhjet me dhunë në kryeqytet. Dy të tilla kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas të dhënave policore, njëra nga ngjarjet ka ndodhur në rrugën "Mihal Grameno". Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 22:30, në Komisariatin Nr. 1 është paraqitur Prena Nikolli, 60 vjeçe, e cila ka denoncuar se është grabitur me dhunë nga dy persona. Sipas denoncimit të saj, në afërsi të tregut elektrik, pikërisht rreth orës së lartpërmendur, i janë afruar me një motor. Ata i kanë tërhequr çantën me forcë, e ajo pavarësisht se është munduar të mbrojë pronën e saj, ata e kanë shtyrë, e janë larguar me shpejtësi. Policia bëri të ditur se menjëherë ka nisur kërkimi për gjetjen e këtyre dy personave, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre. Sipas të dhënave policore, Prena Nikolli ka deklaruar se në çantë kishte dokumente të ndryshme, celularin dhe 20 mijë lekë. Pre e vjedhjes me dhunë ka rënë edhe një 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, i cili është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Sipas të dhënave policore, është shpallur në kërkim Andi P., 14 vjeç, me banim në Tiranë, pasi dyshohet për vjedhjen me dhunë të një celulari. Denoncimi në ngarkim të tij është regjistruar nga Komisariati Nr. 3. Në këtë komisariat është paraqitur Niko Spiro, 14 vjeç, i cili nën shoqërinë e prindit ka deklaruar se ngjarja kishte ndodhur në ambientet e shkollës "Qazim Turdiu". Pikërisht në pushimin mes orëve të mësimit, bashkëmoshatari i ishte afruar dhe duke e goditur me grushte dhe shqelma i kishte marrë celularin.