Zhbllokohen punimet në Rrugën e Arbrit
Rinisin punimet e bllokuara pak ditë më parë në Rrugën e Arbrit, në segmentin Bulqizë-Ura e Vashës. Punimet të cilat u bllokuan në një segment të kësaj rruge, në afërsi të fshatit Vajkal nga banorët në tokat e të cilëve kalon rruga, kanë vijuar normalisht. Konflikti erdhi pas kërkesës së banorëve të zonës, të cilët kërkojnë të marrin dëmshpërblim për tokën, gjë që ka hasur në vështirësi, për faktin se toka nuk është e regjistruar në hipotekë. Ndodhur në kushte të tilla fshatarët e Vajkalit pak ditë më parë bllokuan punimet dhe u desh ndërhyrja e policisë për zhbllokimin e tyre. Tensioni çoi deri në përplasje mes policisë dhe banorëve, ku u ndalua njëri nga fshatarët protestues. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka kërkuar plotësimin e dokumentacionit nga ana e fshatarëve në pronat e të cilëve kalon rruga që ata të mund të dëmshpërblehen. Ndërkohë, ndërhyrja e pushtetit vendor ka çuar në bindje të fermerëve për plotësimin e dokumentacionit të duhur ligjor, për të përfituar dëmshpërblimin e kërkuar prej tyre. Kështu, gjatë këtyre ditëve është bërë i mundur zhbllokimi i punës edhe në këtë segment rrugor, ku puna ka vazhduar krejt normalisht.
Hy.Li.
Hy.Li.