E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen grabitësit e argjendarisë në mes të Durrësit

Policia e qytetit bregdetar zbulon autorët me anë të shenjave të gishtave të gjetura në vendngjarje

DURRËS Nuk ka zgjatur shumë arratia e dy grabitësve të argjendarisë në bulevardin kryesor të qytetit të Durrësit. Policia e qytetit bregdetar ka mundur të identifikojë pas disa orësh autorët, të cilët rreth mesnatës së djeshme janë vënë në pranga. Gerald Tuda, 32 vjeç, banor i Fllakës, është vënë në pranga; ndërsa bashkëpunëtori i tij, Liridon Kapiti, 20 vjeç, nga Qerreti, është shpallur në kërkim. Burime të policisë kanë bërë të ditur se këta janë autorët që kanë hyrë në argjendari me maska dhe me armë, ku kanë mundur të marrin një sasi të konsiderueshme bizhuterish prej ari. Në prangat e policisë ka rënë edhe shtetasi Elton Vojdulla, 23 vjeç, nga fshati Bishkamëz, pasi ai i ka transportuar ata nga qyteti i Durrësit drejt Fllakës me autoveturën tip OPEL Astra me targa AK 223 PL. Ky i fundit akuzohet për moskallëzim të krimit nga policia. Personat që kanë kryer grabitjen, Gerald Tuda dhe Liridon Kapiti, janë kushërinj të parë (djalë daje dhe halle). Ata kanë hyrë në argjendari me maska që të dy, duke vendosur nga një çorape në kokë, kurse njëri prej tyre ka pasur pistoletë, e cila akoma nuk është gjetur. Policia ka deklaruar se të dy të rinjtë kanë grabitur plot 116 copë unaza, byzylykë dhe varëse floriri. Pesha e tyre është rreth 600 gram, ndërsa vlera e gjithë kësaj sasie të vjedhur llogaritet në rreth 2 milionë lek të reja. Identifikimi dhe kapja e tyre është bërë pas hetimesh intensive dhe provave shkencore të përdorura nga pjesëtarët e grupit hetimor që ka mbërritur në argjendarinë e grabitur menjëherë pas denoncimit. Në vende të ndryshme në argjendarinë e vjedhur, e cila është pronë e shtetasit Gj. Ngresi, janë gjetur shumë shenja gishtash. Shenjat e marra nga policia kanë zbuluar edhe identitetin e grabitësve, bazuar në kartat e identitetit që janë prodhuar që në fillimin e vitit 2009. Me anë të tyre më pas efektivat e policisë nuk e kanë pasur të vështirë për të kapur në banesën e tij në Fllakë shtetasin Gerald Tuda, ndërsa kushëriri i tij nuk gjendej në atë kohë në shtëpi. Policia ka bërë të ditur se ka sekuestruar të gjithë sasinë e bizhuterive të grabitura një ditë më parë. A.K

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›