Ngrihen myslimanët e Shkodrës, protesta për pronat e tyre
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamet Sytari ka bërë publik vendimin për protestat para besimtarëve gjatë lutjes të së premtes
SHKODËR “Protesta në vendet ku kemi pronat që nuk na janë kthyer”, ka qenë paralajmërimi i bërë nga myftiu i Shkodrës, Imam Muhamet Sytari, gjatë hytbes së xhumasë, një ritual i fesë myslimane ky, që mbahet çdo ditë të premte nëpër xhami. Duke folur para besimtarëve myslimanë, në xhaminë e Parrucës, Sytari ka theksuar se kjo që ndodh me pronat është persekucion fetar, jo vetëm për komunitetin mysliman, por dhe atë ortodoks. “Ne jemi dy komunitetet fetare që persekutohen në këtë qytet e në këtë vend. Që në 2005 kemi bërë të ditur problemin me Hotel ‘Rozafën’, ku ne jemi pronarë të 39% të truallit. Janë 40 ish të përndjekur politikë, që meskinisht ranë në grackën e një pushteti të fëlliqur, që i shiti atyre padrejtësisht pronën tonë. Janë dhjetëra shkresa të myftinisë, që nga Presidenti e deri te zyrtarët e thjeshtë të Bashkisë, dhe asnjë zgjidhje, asnjë reagim. Nuk prishet një ndërtim që mban peng ndërtimin e qendrës sonë tregtare në Zdralej, pasi thuhet se personi që e ka bërë i është shtrirë përpara makinës së Kryeministrit. Mos duhet që unë me çallmën e xhyben time t’i shtrihem para makinës Kryeministrit për të liruar pronën që i përket komunitetit mysliman në Shkodër? Unë nuk i shtrihem askujt dhe nuk e uli ballin veç përpara Allahut“.
Dokumentet
Sytari ka treguar para besimtarëve dokumente që vërtetojnë padrejtësitë që i bëhen procesit të kthimit të pronave të këtij komuniteti, që i ka quajtur probleme të çuditshme.
“Kemi tre procese gjyqësore të hapura në Gjykatën në Tiranë, Gjykatën e Lartë dhe Strazburg. Kjo sepse vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit e ka firmosur në mënyrë të padrejtë një stalin shqiptar, që ishte Kryeministri i asaj kohe dhe që firmosi në dëm të pronës sonë”. Më tej, ai ka përmendur dhe problemet e pronave me varrezat myslimane tek ish SMT, në disa lagje të qytetit, duke theksuar se janë 12 vendime të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave, që nuk janë të regjistruara në hipotekë, janë mbi 100 dosje të pasurive të paluajtshme që ndodhen aktualisht tek Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave në Tiranë. “Ne nuk mund ta shesim fenë, as të tjetërsohemi për të na kthyer pronat tona. Ne nuk bëhemi servilë, që të fitojmë atë që na përket dhe që është e jona. Këta dy ditë kam pritur ndonjë reagim të atyre që duhet të dëgjojnë. Turp që nuk reaguan, më keq për ta. Në një moment të afërt, ne do bëjmë protesta paqësore te pronat që nuk na jepen, tek secila prej tyre. Lusim Allahun të bekojë Shkodrën dhe t’u japë të drejtën atyre që e meritojnë dhe ta pastrojë këtë vend nga uzurpatorët, zullumqarët, shejtanët. Unë nuk frikësohem, nuk kam lindur myfti dhe nuk do vdes i tillë, por kërkoj të drejtën që na takon, atë që na mëson Allahu“, ka theksuar Sytari.
DJANA KOLAJ