E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen grabitësit e postës

Nga Express më 27 maj 2011 në ora 16:26

Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë në arrati, pas grabitjes së armatosur që kanë kryer në postën e fshatit Rugovë të Gjakovës.

Grabitja e armatosur ka ndodhur të enjten rreth orës 08:37, nga tre persona të armatosur, të cilët me këtë rast kanë grabitur 680 euro dhe një telefon.

Zyrtari për media i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibra, tha të premten se arrestimi ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, gjatë një aksioni të njësiteve policore për hetimin e krimeve nga stacioni policor i Gjakovës dhe krimeve serioze të Njësitit Hetimeve Rajonale.

“Të enjten, rreth orës 22:00, në një operacion të veçantë të ndërmarrë nga Njësiti i Hetimeve Rajonale janë arrestuar Shaban (Agim) Ibraj, i lindur më 1989, banues në fshatin Zahaq - Pejë, Herolind (Ismet) Hajdaraj, i lindur më 1991, banues në fshatin Hereq - Gjakovë, ndërsa në kërkim janë Shpëtim (Halil) Bajraktari, banues në fshatin Hereq - Gjakovë dhe Ermal (Gëzim) Rogova, banues në Gjakovë”, ka thënë Ibra.

Sipas policisë, tek i dyshuari i parë janë gjetur një pjesë e dëshmive të grabitura dhe automjeti me të cilin është kryer grabitja. Po ashtu i dyshuari i dytë, Herolindi, në bashkëveprim ka kryer edhe një vepër tjetër të grabitjes në Krushë të Madhe më 5 maj 2011, ku kishin grabitur 1.200 euro dhe kartela mbushëse telefoni në vlerë 600 euro.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë së Qarkut, personat e arrestuar janë vënë në ndalim policor, ndërkohë që rasti do të procedohet në Prokurorinë Publike pasi që Policia e Kosovës të arrestojë edhe dy të dyshuarit e tjerë, të cilët për momentin ndodhen në arrati.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›