E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjitja e Li Hsien Nien, kryenegociatorit kinez me Shqipërinë

Autori i Lajmit: Androkli DraloHong-Kong, 12 tetor 1976 – Në krizën më të madhe të udhëheqjes në Kinë të këtyre 10 vjetëve të fundit, zëvendëskryeministri, Li Hsien Nien, dikur një shënjestër e sulmit të radikalëve, duket se ka përparuar drejt pozicionit të shefit të planifikimit ekonomik dhe politikës së jashtme kineze, detyra, të cilat dikur përmbusheshin nga përkrahësi i tij i vjetër, Çu En Lai. I quajtur një “reaksionar borgjez” nga Rojet e Kuqe gjatë Revolucionit Kulturor, Li arriti ta mbante pozicionin e ministrit të Financave vetëm falë ndërhyrjes së Çu En Lait. Katër udhëheqësit kryesorë radikalë, të cilët nxitën Rojet e Kuqe, tani njoftohet se janë arrestuar. Për kohën që është, Li Hsien Nien, duket se ka marrë një pozicion po aq të rëndësishëm sa dhe i Çusë, edhe pse Hua Kuo Feni mban titullin e Kryeministrit dhe situata duket shumë larg të qenit e parashikueshme. Duke hamendësuar se katër radikalët në të vërtetë janë hequr nga pozicionet që mbanin, Li do të qëndronte i treti në hierarkinë e partisë dhe përpara do të kishte vetëm kryetarin, Hua Kuo Fen dhe ministrin e Mbrojtjes, marshallin Ji Çen Ji, 78 vjeç, i cili duket se do të dalë në pension përpara Li Hsien Nienit. Derisa raportet e spastrimeve të radikalëve e vendosnin Linë të shtatin për nga radha në hierarkinë e Partisë Komuniste Kineze, Li Hsien Nien, u thërrit ditën e sotme për të drejtuar një banket për nder të vizitës së kreut të shtetit, Mikael Somare, të Guinesë Papua, një rol që zakonisht e kryen kryeministri kinez. I lindur në provincën qendrore të Hupeit, Li, tashmë 69 vjeç, kishte zanatin e karpentierit në rini. Origjina e tij ndonjëherë tregohet me përçmim dhe jo në mënyrë të sjellshme, sipas atyre, të cilët e kanë takuar Li Hsien Nienin, por ai është shndërruar në një mjeshtër të problemeve buxhetore të vendit dhe është i pazëvendësueshëm si një planifikues ekonomik. Li thuhet se ka qenë një kritik i ashpër i përpjekjeve të ish-udhëheqësit Mao Ce Dun për të kolektivizuar me shpejtësi ekonominë kineze gjatë Hapit të Madh Përpara në fundin e viteve 1950. Në fillimet e viteve 1960 ai mbështeti përpjekjet për të riprezantuar stimulin material për punëtorët e fabrikave kineze dhe fermerët në ferma, duke shkaktuar zemëratën e radikalëve, të cilët mendonin se të tilla mjete do ta çonin Kinën drejt krijimit të një elite të re. Si pasojë, gjatë fundit të viteve 60, Li Hsien Nien u detyrua të mbante një sërë mbledhjesh ku ai “bënte autokritikë”. Me dashurinë e tij të zakonshme për këshillat mospajtuese, Maoja e këshilloi Li Hsien Nienin që të mos u dorëzohej radikalëve të rinj, të cilët kryetari i partisë i kishte nxitur të sulmonin figurat qeveritare. Sipas një dokumenti të periudhës së Revolucionit Kulturor, Mao i kishte thënë Lisë në vitin 1966: “Nënat dikur edukonin fëmijët, por tani janë fëmijët që edukojnë nënat. Unë mendoj se ty të mungon diçka në shpirt. Nëse ata nuk duan ti dëgjojnë argumentet e tua, ti duhet të vazhdosh të mendosh njëlloj”. Li Hsien Nien ishte absolutisht i shqetësuar për çështjet e brendshme të Hupeit përpara dhe mbasi ai u përfshi në politikëbërjen e jashtme kineze dhe herë pas here ai shfaqej si një figurë potenciale për tu bërë ministër i Punëve të Jashtme. Në dekadën nga 1954 deri në 1964, ai ishte jashtë shtetit në gjashtë raste të ndryshme, duke vizituar Shqipërinë tri herë, Mongolinë, Çekosllovakinë dhe Rumaninë. Në vizitën që zëvendëskryeministri kinez i bëri Shqipërisë në vitin 1972, qëllimet ishin të qarta. Ajo erdhi vetëm pak kohë pasi Presidenti amerikan, Riçard Nikson, kishte qenë në Kinë dhe udhëheqja e lartë komuniste e Shqipërisë jo vetëm që nuk e kishte pritur mirë vajtjen e tij në Kinë, por po përgatitej që të prishte përfundimisht marrëdhëniet dhe miqësinë e ngushtë që kishte ekzistuar në mes dy vendeve. Kur delegacioni ushtarak shqiptar i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, zoti Beqir Balluku, vizitoi Kinën në nëntor-dhjetor 1972, udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze diskutuan mosmarrëveshjet e tyre me Partinë e Punës së Shqipërisë. Delegacioni shqiptar mori garancinë se, edhe nëse Shqipëria do të mbante një qëndrim ndryshe ndaj politikës së jashtme kineze, Kina kishte besim se mund të arrihej një konsensus mes PKK-së dhe PPSH-së. Delegacioni kinez kryesohej nga vetë ministri i Mbrojtjes, marshalli Ji Çen Ji, i cili në atë kohë kishte zëvendësuar Lin Biaon dhe konsiderohej si një nga ushtarakët më të përgatitur të gjithë ushtrisë kineze. Li Hsien Nien ishte shoqëruesi i Maos në udhëtimin e këtij të fundit në Moskë (1957) për të marrë pjesë në përvjetorin e 40 të Revolucionit Bolshevik. Gjatë periudhës nga janari i 1959 deri në nëntor 1962, Li ishte firmëtari i Kinës për më shumë se 18 traktate, marrëveshje, protokolle apo komunikata të përbashkëta që kishin të bëjnë me çështjet e jashtme tregtare. Sipas një kolegu të tij, Li Hsien Nien “nuk studioi në ndonjë universitet apo kishte ndonjë diplomë të shkollës së lartë”. Një anëtar i Partisë Komuniste Kineze nga mesi i viteve 1920, Li Hsien Nien nisi të organizonte fshatarësinë brenda dhe jashtë rajonit të Hupeit dhe ndihmoi organizatën partizane të fermave atje. Kur forcat komuniste në zonë u përzunë përfundimisht nga ofensiva nacionale, Li u zhvendos së bashku me trupat e tij në rajonin verior të Szechvanit. Në vitin 1935, forcat komuniste, pjesë e së cilës ishte dhe Li Hsien Nien, nisën ndarjen e tyre në të famshmin “Marshimi i Gjatë Komunist”. Në vitin 1954, Li Hsien Nien u thirr në Pekin për të zëvendësuar Ten Hsiao Pinin si ministër i Financave, një post të cilin e ka mbajtur që prej asaj kohe. Ai u zgjodh në krye të Byrosë Politike në vitin 1956 dhe ka shërbyer atje më gjatë se sa çdo anëtar ende aktiv i saj. Li është i martuar me Lin Çia Mei, e cila ishte një zyrtare më pak e rëndësishme e Ministrisë së Shëndetit Publik në mesin e viteve 1950 dhe më pas u zhvendos në Ministrinë e Financave, në zyrën e tregtisë për të punuar me bashkëshortin më 1958.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›