PS nis trajnimin e kandidatëve
10/05/2005 Partia Socialiste do të trajnojë 100 kandidatat e saj për deputetë, duke i futur kështu në atë që quhet “shina“ politike e partisë. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS-së Elmaz Sherifi tha për „Metropol“ se “PS-ja tashmë ka në dorë programin dhe listën e kandidatëve për deputetë që shumë shpejt do t’i nënshtrohen një seminari trajnues. Ky është veprimi i parë politik që do të bëjë Partia Socialiste, strukturat drejtuese departamentet e specializuar në parti, të cilat po punojnë për të përgatitur të gjitha udhëzimet dhe kujtesat e nevojshme, që japin një ndihmesë për të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët do të jenë jo vetëm aktorët kryesore në përparimin e fushatës, por dhe organizatorët e stafeve, në mënyrë që e gjithë veprimtaria të jetë ligjore“. Ndonëse strukturat e PS-së po përgatitet për të zhvilluar trajnimin e kandidatëve në këtë prag zgjedhjesh, nga selia rozë nuk është publikuar lista me 100 emrat që do të garojnë nën siglën e PS-së. Mësohet se vonesa po shkaktohet nga largimi i dy kandidatëve për deputetë në rrethin e Shkodrës dhe largimi i Spiro Peçit në Qarkun e Vlorës. Por, me sa duket, mungesa në listën e socialistëve po shkaktohet për arsye se duhet të publikohen më parë 100 emrat e Partisë Demokratike për këtë proces zgjedhor.