Sokol Nako kandidat i LSI në njësinë 10 në Tiranë
10/05/2005 Lëvizja Socialiste për Integrim ka zyrtarizuar dje kandidaturën për deputet të ish-ministrit të Integrimit, Sokol Nako, i cili garën elektorale e shikon të bazuar në programe dhe vizione integruese. Nako do të zhvillojë garën në minibashkinë numër 10 në kryeqytet, ku do të ketë përballë Majlinda Ketën e Partisë Socialiste. Gjatë prezantimit, Nako është shprehur se “këto ditë kemi dëgjuar shumë për piramidat edhe për rrënimin që këto piramida i kanë sjellë qytetarëve tanë. Por, në të vërtetë, kjo retorikë shumë e nxehur paraelektorale ka si synim të vetëm të fshehë dhe të maskojë përpjekjet për ngritjen e një piramide të re politike, një piramide që në vend të parave tani u kërkon qytetarëve të investojnë në to dhimbjen, ankthin dhe frikën e së shkuarës, në mënyrë që nesër t’u kthejë atyre si interes konfliktualitetin, varfërinë dhe korrupsionin“. Ish-ministri i ka siguruar banorët e zonës elektorale numër 40 se do të jetë „përçues i mesazhit tuaj politik për ta çliruar vendin nga ferri i bipolarizimit të pavlerë dhe për të prodhuar atë shtytje që na nevojitet të gjithëve për ta çuar vendin përpara në rrugën e integrimit evropian“, tha Nako. Ndërkohë që kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se “është e rëndësishme të keni një deputet një njeri kaq të ri, por me përvojë kaq intensive edhe qeverisëse e vlerësuar brenda e jashtë vendit, por njëkohësisht edhe me një përvojë të sukseshme si avokat edhe në tregun privat. Në këtë aspekt nuk duhet të harrojmë se kryetari i Komisionit të Ligjeve në parlamentin tonë është jurist me shkollë nate, ndërsa Nako është vlerësuar nga krerët e Bashkimit Evropian“, tha Meta.