Një sfidë me dramën e tranzicionit
Prej disa javësh, regjisori Gjergj Xhuvani, një staf italo-shqiptar dhe një kast me aktorët më të njohur, kanë zbritur në sheshxhirim. “Në kërkim të kujt!!!” është filmi artistik që do të transmetohet në 10 seri, në televizionin “Top Channel”
Gjergj Xhuvani
Pas tryezës, hetuesi i policisë gjyqësore dëgjon rrëfimin e një krimi. Nën një shkëmbim dialogësh, herë në shtypje psikologjike, e vërteta shfaqet e zhduket në intervale të shpejta kohe. Më pas... Stop! Dubla e radhës përfundoi. Regjisori Gjergj Xhuvani ngrihet nxitimthi nga karrigia. Afrohet tek aktori në kërkim të natyrës së vërtetë të personazhit të portretizuar prej tij përmes fjalëve. Ndodhemi në sheshxhirim. Prej disa javësh, regjisori, një staf italo-shqiptar dhe një kast prej 80 aktorësh me emrat më të njohur, po i japin jetë filmit më të ri të Xhuvanit. “Në kërkim të kujt!!!”, një prodhim i “Top Channel”, do të shfaqet për publikun në 10 seri. Historia është e fundit që Xhuvanët, babë e bir, mundën të shkruanin së bashku. Vetëm pak kohë më pas, skenaristi u nda nga jeta. Jemi në Shqipërinë e viteve të tranzicionit. Aty ku shohim rrënimin financiar dhe shpirtëror të individit, padrejtësitë dhe një drejtësi të verbër. është drama e një familjeje shqiptare, e zbritur në kryeqytet në vitet ‘90 dhe e tronditur nga fenomeni i fajdeve. Kryefamiljari ka humbur gjithçka, ndërsa përzierja e fatit të tij me drejtësinë i jep ngjarjes nota tragjike. Ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, Gjergj Xhuvani u është larguar historive të diktaturës. Që në premierën e “Lindje-Perëndim-Lindje” kishte lajmëruar se i mbylli hesapet me komunizmin (trilogjia “I dashur Armik”, “Parullat”, “Lindje-Perëndim-Lindje”) e do të afrohej në ditët e sotme. Veçse këtë radhë, destinacioni i parë nuk është kinemaja, por televizioni. Gjithçka tjetër është në parametrat e një filmi artistik. “Ky është një film që në strukturën e tij dramaturgjike dhe në mënyrën e xhirimit po bëhet sipas logjikës së një filmi artistik. I vetmi detaj që e ndan është televizioni”, shprehet regjisori Xhuvani. çdo seri do të ketë një zgjatje prej 45-50 minutash e kjo e bën që në tërësinë e tij filmi të ketë një minutazh tej të zakonshmes. Për Xhuvanin është eksperienca e parë në këtë zhanër. është i vetëdijshëm se ky film mbart në vetvete problemin dramaturgjik, ku çdo seri duhet të ketë konturet e një filmi. “Ndodh shpesh që në seri të ndryshme të kthehet protagonist një personazh i caktuar, i cili shfaqen herë pas here në këtë labirint retrospektive”, thekson regjisori. Almir Bali, një hetues i policisë gjyqësore, interpretuar nga Kastriot çaushi, është personazhi kryesor, i plotësuar nga shumë të tjerë. Kasta prej 80 aktorësh që do të mishërojnë karaktere nga më të ndryshmet, përfshin emra të njohur si: Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa, Niko Kanxheri, Monika Lubonja, Helidon Fino, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Mërkur Bozgo, Guljem Radoja, Reshat Arbana, Xhevdet Ferri, Mevlan Shanaj, Gentian Hazizi, Marko Bitraku, Ermira Hysaj dhe dy aktorët nga Kosova, Luan Jaha dhe Istref Shkumbini. “Ky film është shprehje e tendencës dhe investimit madhor që një televizion privat ndërmerr për të realizuar një prodhim, të cilin deri më sot e kanë bërë televizionet e mëdha europiane. Nga pikëpamja teknike është bërë tërësisht një investim i ri, i destinuar për prodhimin e kinemasë në të ardhmen, ndërkohë që nga ana tjetër kemi zgjedhur stafin me aktorët më të mirë”, shprehet producenti Dritan Huqi. Filmi ndodh i gjithi në Tiranë. Spitalet, burgjet, gjykatat, rajonet e policisë, shkollat dhe rrugët e kryeqytetit janë vendet e zgjedhura të xhirimit. Në katin e dytë të disa prej ambienteve të “Kinostudios”, aty ku është improvizuar zyra e hetuesit e mandej një spital, regjisorin Gjergj Xhuvani e sheh të bëjë edhe shënime në skenar. Këtë radhë i duhet t’i bëjë vetë edhe ndryshimet e mundshme të diktuara nga rrjedha e ngjarjeve apo zhvillimi i karaktereve. Më parë këtë pjesë e mbulonte i ati, Dhimitër Xhuvani. Shprehet se është ndjerë paksa i vetmuar në këtë pikëpamje. “Pothuajse çdo natë duhet të rishikoj skenarin në varësi të dramës dhe karakterit të personazhit. Në këtë eksperiencë, mungesën e tij e përjetoj jo vetëm emocionalisht, por edhe në aspektin pragmatist”, shprehet Xhuvani. Në skenën që po xhirohet, kjo frazë e ndryshuar i ka qëlluar Ndriçim Xhepës. Xhuvani komunikon vazhdimisht me aktorët. I çon ata drejt asaj që ai kërkon të marrë prej tyre. “Në kërkim të kujt!!!”, në dukje një titull metaforik, ka një nxitje reale. “është një film i zhanrit policor-social, ku historia policeske shërben si kornizë. Pjesa tjetër është një problem i madh social. Ne shohim fajin, fenomenin, por asnjëherë fajtorin. Atëherë kë kërkojmë?”, shpjegon regjisori. Në përsëritjet e shpeshta: Qetësi! Aksion! E më tej caku, qëllon të dallosh tek ai edhe tension. Tone që ulen, ngrihen e më tej një falënderim për punën e bërë. Kur ka përfunduar rreth gjysma e xhirimeve, drejtori i fotografisë, kroato-italiani Mladan Matula, shprehet se po veprohet si në një prodhim kinematografik. “Po punojmë seriozisht dhe besojmë të sjellim diçka në nivel të lartë estetik. Do të mundohemi të bëjmë diçka natyrale, që njerëzit të mos spikasin vetëm një detaj, si për shembull fotografia. Regjisori është shumë kompetent dhe di saktësisht atë që do dhe mbështetet te ne. Filmi është i pasur dhe rrok një temë që unë e kam familjare nga vendet që kam jetuar, por edhe pse është karakteristikë e Ballkanit. Mua më ka pëlqyer kjo eksperiencë”, tregon Matula, teksa vëzhgon me kujdes çdo detaj. Publiku shqiptar ka kultivuar një pritshmëri për sa u përket filmave të Xhuvanit. Si do të vijë ky realizim i ri? “është prapë Gjergji. Filmi do të ketë suspancë, ndonjë konflikt të padukshëm, humor dhe dhimbjen njerëzore”, tregon Xhuvani. Pas fazës së postproduksionit, filmi pritet të shfaqet në ekranin e “Top Channel” në muajt tetor-nëntor.
Kastriot çaushi
Për të, Almir Bali, hetuesi i policisë gjyqësore, nuk është karakter i mirëfilltë policesk. “është një personazh që mban dramën e të tjerëve, por ka edhe dramën personale”, shpjegon aktori kryesor i filmit. Për të, bashkëpunimi është shumë serioz dhe bashkëkohor. “Gjendesh përpara seriozitetit të një trupe të vetme. Natyrisht që duke qenë një film me minutazh të gjatë, është prodhimi më i gjatë që më ka rastisur në jetën time artistike, tregon çaushi. Ai është strumbullari i situatave që lëvizin dhe ku kërkohet përshtatja me karaktere të shumta e të ndryshme.
Ndriçim Xhepa
Në film portretizon Bastri Banushin. Ndriçim Xhepa është thuajse gjithnjë i pranishëm në filmat e Xhuvanit. E gjejmë edhe këtë radhë në sheshxhirim. “Bastriu është një personazh tipik i sipërmarrësit shqiptar, i prodhuar këto 20 vitet e këtij tranzicioni të çuditshëm shqiptar, njerëz që katapultohen nga një lloj mirëqenieje jetese me forma nga më abuzivet, ku kanë të bashkangjitur arrogancën, prepotencën, mungesën e njerëzillëkut, nuk janë të vetëdijshëm për atë që kanë arritur dhe si e kanë arritur. është një personazh tipik i lulëzuar këto 15 vjet ekonomi kapitaliste, e ndërtuar në këtë vend me rregulla e pa rregulla”, shprehet Xhepa. Ndërsa për sa i përket kësaj eksperience të parë të një filmi artistik, që do të shfaqet në televizion, ai shprehet: “Uroj që të marrë vlerë natyrshmëria dhe vërtetësia që tenton të përçojë regjisori Gjergj Xhuvani bashkë me drejtorin e fotografisë dhe përmes gjithë aksesorëve të tjerë e përçuesve kryesorë, siç janë syri dhe shpirti i aktorëve”.
Gentian Hazizi
Në film ai identifikohet si Sotiraqi, menaxheri i firmës “Baki”, i familjes së Bastriut. është një nga personazhet më të qëndisur nga ana karakteriale, sepse gjendet shpesh në shumë situata tragjiko-dramatike-komike. është personazh i kundërt me Rremën (“Lindje-Perëndim-Lindje”), sepse Sotiraqi ka një marrëdhënie dashurie me Kizin (Monika Lubonja), gruan e pronarit të firmës. Ky është bashkëpunimi i dytë për të me regjisorin Xhuvani. “Unë personalisht jam nga ata aktorë që e lë veten në dorë të regjisorit kur krijoj besim, pavarësisht se gjatë punës ka kompromise me regjisorin. Pas eksperiencës në filmat ‘Saimir’, ‘Arrivederci amore ciao’, ‘Lindje-Perëndim-Lindje’, kam kuptuar që një aktor nuk duhet të mendojë shumë kur e sheh se një regjisor është plotësisht i qartë në atë që do të realizojë. Duhet të bëjë detyrën e tij, të besojë e të aktrojë. Sigurisht është privilegj dhe përgjegjësi që në këtë film të kem përkrah partnerë me shumë eksperiencë e nivel të lartë artistik, si Ndriçim Xhepa, Kastriot çaushi, Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Luiza Xhuvani, Mërkur Bozgo, Niko Kanxheri etj. Më vjen mirë që serialin e parë televiziv të këtij lloj zhanri të filmit artistik e bën një televizion si ‘Top Channel’. Me këtë, përgjegjësia rritet akoma më tepër, pasi do ndiqemi nga publiku i gjerë i këtij televizioni”.
Luan Jahja
Aktori që vjen nga Kosova, e ka të parin bashkëpunim me regjisorin Gjergj Xhuvani dhe me një staf kaq të madh të aktorëve shqiptarë. Publiku ndoshta e identifikon me interpretimin në filmin “Kukumi” të regjisorit Isa Qosja. Këtë radhë vjen nën petkat e Dod Preng Zefit, avokatit të Bastriut. “është një viktimë e situatës, e rrjedhave politiko-shoqërore, që për interesat e veta personale, mbron edhe nëse është e padrejtë. Ky është bashkëpunimi i parë dhe ndihem i privilegjuar që jam në këtë projekt të madh e të rëndësishëm e për këtë doja ta falënderoja producentin Huqi. E kam pasur pak të vështirë të bëhem pjesë e ekipit, pasi është një ndryshim total i ambientit. Herë-herë kam pasur shqetësime, shtangie, bllokim, që në bashkëpunim me regjisorin e njohur dhe me ekipin e aktorëve, i kemi kaluar me sukses”.
Helidon Fino
Helidon Fino, i zgjedhur të bashkëpunojë sërish me Xhuvanin, vjen këtë radhë si Selim Bregu. “Personazhi që unë interpretoj është i zgjedhur dhe i veçuar nga sektori i ligjit, policisë. Ai është një ndihmësoficer i policisë gjyqësore. Kemi të bëjmë me një individ që përfaqëson një shtresë të mesme sociale, profesionale dhe më së shumti humane. Një individ që profesionalisht ndjek me fanatizëm parimet dhe rregullat si në profesion ashtu edhe në shoqëri. Personazhi që unë interpretoj është gjithashtu një individ që personifikon dëshirën për punën, të drejtën dhe shpesh herë të sinqertën. Ai karakterizohet nga një humor dhe ironi e këndshme, jo të qëllimshme, si edhe reagon ndaj fenomeneve negative të shoqërisë”, tregon aktori. Për sa i përket bashkëpunimit, thekson se “shpresojmë që edhe njëherë me punën e radhës të shkojmë dhe të komunikojmë me të gjitha shtresat sociale dhe problematikat e shoqërisë. I lutemi publikut të na mirëpresë”.
#