E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laç, shpartallohet linja e trafikut të minave me sahat

“Natë me hënë”
Policia arreston tre veta. Hetimet shkojnë te persona të tjerë të implikuar

Një arsenal i vërtetë armësh zjarri është sekuestruar nga ana e Policisë së Kurbinit në kuadër të operacionit “Natë me hënë”. Aksioni policor i drejtuar nga Policia e Kurbinit ka nisur ditë më parë me arrestimin e Monel Lamajt dhe Sokol Busetës. Burime zyrtare nga Policia e Kurbinit bëjnë të ditur se 35-vjeçari Monel Lamaj dhe 40-vjeçari Sokol Buseta, u arrestuan ndërsa po lëviznin nga Laçi në drejtim të Mamurrasit me një fuoristradë me targa të Laçit, pasi në një postbllok pranë fshatit Gjorm, në makinën e tyre u gjetën katër mina me telekomandë, (lëndë plasëse C4) dhe 15 detonatorë elektrikë me përcjellës. Sipas policisë, edhe pse dy të arrestuarit në flagrancë kanë tentuar të largoheshin, ata janë arrestuar menjëherë, ndërsa operacioni ishte detajuar, pasi forca të shumta policie kanë mbërritur menjëherë në banesën e Lamajt në Laç dhe në Sanxhak të Kurbinit. Sipas policisë, në banesën e Monel Lamajt dhe të vëllait të tij, 20-vjeçarit Leandro Lamaj, në lagjen nr. 3 të Laçit janë gjetur dhe sekuestruar një minë me telekomandë, një armë zjarri automatik model 56 dhe 30 fishekë, një armë gjahu me 15 fishekë, një detonator elektrik me përcjellës, 600 fishekë të llojeve të ndryshme. Po kështu, policia ka gjetur në banesën e vëllezërve Lamaj edhe 71 unaza floriri, 29 byzylykë, 24 varëse, 24 medaljone, 96 vathë, 54 ora dore të markave të ndryshme, 11 telefona celularë të markave të ndryshme, 3800 euro, si edhe 6 milionë lekë shqiptare. Në shtëpinë e Lamajve, të cilët zotërojnë edhe një fabrikë të prodhimit të sallamit, policia sekuestroi edhe 4 automjete.
Burime nga Policia e Kurbinit bëjnë të ditur se pak ditë më parë ishte marrë informacion nga kolegët e Shkodrës për 40-vjeçarin Sokol Buseta nga Shkodra. Ai ishte i dyshuari kryesor për futjen e lëndëve plasëse nga Mali i Zi me destinacion tregun shqiptar. Kjo ka bërë që policia ta mbante atë nën kontroll dhe të mësonte më mirë edhe pikat e kontaktit, që sipas policisë ishin në Laç, ku dyshohet se pas sjelljes së lëndëve plasëse nga ana e tij, ishin dy vëllezërit Monel dhe Leandro Lamaj, ata që tregtonin më pas mallin. Burimet zyrtare të policisë së Lezhës dhe Kurbinit janë treguar tepër të rezervuara në të dhënat e tyre, pasi, sipas tyre, një grup ekspertësh të Ministrisë së Brendshme kanë mbërritur në Lezhë, të shoqëruar nga prokurorë të Krimeve të Rënda, për të hetuar rastin në fjalë.
Aktualisht për të tre të arrestuarit rëndon akuza e “trafikimit të lëndëve plasëse dhe municioneve luftarake në bashkëpunim”, ndërsa priten edhe arrestime të tjera.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›