E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen në flagrancë 3 autorët e grabitjes në mesditë

PEQIN - Kanë arritur t'i futen në banesë duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së pronarit, duke i vjedhur një sasi prej 1 milion e 650 mijë lekë të vjetra dhe disa bizhuteri floriri, por s'kanë mundur të gëzojnë sasinë e parave dhe bizhuve, pasi janë prangosur pas dy orësh.


Ngjarja është regjistruar në mesditë në fshatin Pajovë të rrethit të Peqinit, kur tre të rinj duke ndihmuar njëri-tjetrin kanë hyrë në banesën e shtetasit Latif Plaku, 45 vjeç, ndërsa ky i fundit ishte në lokalin afër shtëpisë.


Teksa e kanë studiuar mirë situatën, 3 të rinjtë kanë nxjerrë nga shtëpia paratë dhe florinjtë, por janë parë teksa largoheshin. Plaku ka bërë denoncimin menjëherë në polici pasi ka arritur të njohë një nga autorët. Brenda dy orësh janë arestuar shtetasit Iren Hasa, 19 vjeç, Aldo Sinani, 21 vjeç dhe Fation Qefalia, 22 vjeç.


Tre bashkëmoshatarët nuk kanë mundur as të fshehin paratë dhe bizhuteritë pasi janë kapur në befasi nga policia në banesat e tyre. Pas arrestimit të tyre është sekuestruar edhe shuma e lekëve, si dhe bizuteritë e floririt të vjedhura në banesë. Tre të rinjtë do të përgjigjen për veprën penale të "vjedhjes në bashkëpunim".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›