Kapet 25-vjeçari,shpërndarës narkotikësh
TIRANE – Arrestohet 25-vjeçari shpërndarës narkotikësh. Sipas policisë së kryeqytetit, ka rënë në prangat e efektivëve të antidrogës i riu Marsel Maçi, 25 vjeç, i cili është kapur te lulishtja “1 Maji”, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”. Gjatë kontrollit fizik të kryer ndaj tij në momentin e arrestimit bëhet e ditur se i janë gjetur 10 doza heroinë, të cilat i kishte bërë gati për t’ua shitur përdoruesve të asaj lagjeje. Policia pohon gjithashtu se agjentët e antidrogës e survejonin prej kohësh të riun Maçi, por arrestimi i tij ishte bërë i mundur vetëm mesditën e djeshme. Sipas policisë, ai dyshohet se e ushtronte aktivitetin paligjshëm në zonën e Medresesë, QSUT dhe te lulishtja “1 Maji”. Tashmë çështja ndaj tij i është kaluar Prokurorisë së Tiranës.