E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet adoleshenti,që terrorizoi "Ismail Qemalin"

TIRANE - Arrestohet adoleshenti, që përhapi lajmin e rremë për bombë në shkollë. 

 Policia e Tiranës pohoi dje me anë të një komunikate zyrtare se, rreth orës 09:50 të mëngjesit në sallën operative kishte mbërritur një telefonatë, e kryer nga një shtetas, i cili tregonte se në ambientet e gjimnazit "Ismail Qemali" në Tiranë ishte vendosur një bombë. Menjëherë, pas marrjes së njoftimit strukturat e posaçme të policisë së kryeqytetit, shërbimet e komisariatit numër një dhe specialistët e Njësisë Antieksploziv, duke e vlerësuar informacionin morën masat për evakuimin e shpejtë të nxënësve nga mjediset e shkollës, si dhe të banorëve të zonës përreth. Për rreth një orë policia ka kryer një kontroll të imtësishëm në ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës, duke kryer të gjitha veprimeve procedurale. Pas kësaj ka rezultuar se telefonata për alarm për bombë ishte fals, ndërsa policia ka nisur hetimet për të gjetur personin që kishte kryer telefonatën alarmuese. Sipas forcave blu, falë kryerjes së veprimeve të shpejta hetimore dhe investiguese u mundësua brenda pak orëve identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, i cili ka kryer telefonatën duke dhënë informacione të rreme, me anë të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike si dhe duke përhapur panik në mjediset shkollore. Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i informacionit të rremë të jetë i mituri M.K., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Kakunja të Baldushkut. Burime nga komisariati numër një i policisë pohojnë se, pas marrjes në pyetje i mituri e ka pranuar faktin që ka bërë telefonatën kërcënuese dhe pas kësaj policia e konsultuar me Prokurorinë e Tiranës, konkludoi se adoleshenti do të ndiqet në hetim të lirë, për shkak të moshës së tij të mitur. Ndërkohë, në ngarkim të tij materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për konsumim të veprave penale të "përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik", "njoftimi i rremë në organet e rendit", si dhe "përdorimi me keqdashje të thirrjeve telefonike". Nëse do të gjendet fajtor nga drejtësia i mituri rrezikon një dënim që nis me gjobë dhe mund të shkojë maksimalisht deri në një vit burg.                  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›