E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i fishekëve, akuza: 45 vjet burg katër oficerëve

TIRANE - Trafikimi i 100 mijë fishekëve 7.62 mm, të pistoletave "TT" do u kushtojë 45 vjet burg në total katër ish-ushtarakëve që u arrestuan në flagrancë teksa po i transportonin për në Durrës një vit më parë. 

 Kjo është pretenca e kërkuar nga prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini për punonjësit ushtarakë të akuzuar për "shpërdorim detyre" dhe "trafik municionesh". Për Arif Maten, ish-oficer në shtabin e brigadës 4460 në Pezë prokurori kërkoi 10 vjet burg, për magazinierin e repartit të Mbreshtanit të Beratit, ku ishte edhe origjina e fishekëve, Gramoz Bendo u kërkuan 11 vjet burg, për shoferin e repartit Pajtim Lama 10 vjet dhe për shoferin tjetër Medi Hasani 14 vjet. Katër të pandehurit u prangosën në fund të marsit 2007 në rrugën nacionale Berat-Lushnjë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Cikloni", pas nëntë muajsh përgjimesh nga Prokuroria. Sipas hetimeve nga organi i akuzës, rezultoi se ngarkesa e fishekëve ishte marrë në repartin e Mbreshtanit në Berat dhe po transportohej për në qytetin e Durrësit, ku do të shkëmbehej me pistoleta të tipit "Mini-blow".                        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›