Tokat e Kasharit, zhvarroset dëshmitari
Trazhgim Sokolaj
Vrasje apo vetëvrasje? Kjo është pyetja të cilës duhet t’i japë përgjigje një komision me tre mjekë ligjorë, të cilët zhvarrosën dje me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, Gani Kamberin.Banori 50-vjeçar i Kasharit u gjet i vdekur pranë shtëpisë së tij, më 14 tetor 2007. Viktima ka qenë autori i denoncimit të parë të bërë në policinë e Tiranës për abuzimin e kryetarëve të komunës së Kasharit me trojet e tokave në këtë zonë. Dy ditë para se të gjendej i vdekur, 50-vjeçari dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës. Ai tregoi para hetuesve se si pushtetarët lokalë, përmes falsifikimeve dhe manipulimit të dokumenteve, kishin arritur që 9 mijë metra tokë në pronësi të tij, t’i shisnin tek një person i tretë. Gjithçka ishte kryer shpejt dhe pronari i vërtetë i tokës nuk kishte mësuar asgjë derisa blerësi i truallit shkoi të kërkonte shfrytëzimin e tokës që kishte blerë. Fakti se viktima ishte dëshmitar i abuzimeve korruptive me tokat në Kashar, sipas Prokurorisë, ishte vetëm një shkak për të dyshuar se Gani Kamberi mund të ishte vrarë për t’i mbyllur gojën. Ai jo vetëm që kishte denoncuar në polici dhe më pas dëshmoi në Prokurori, por kishte akuzuar persona konkretë për vjedhjen e tokës së tij. Gjatë këtyre veprimeve, 50-vjeçari mësohet se ka pasur disa përplasje deri edhe fizike në Kashar, me persona të tjerë që sipas hetimeve, dyshohet se kanë bashkëpunuar me tre ish-kryetarët e komunës, tashmë të arrestuar për akuzat e “falsifikimit dhe abuzimit me tokat e banorëve të zonës”.
Vrasje apo vetëvrasje
Komisariati nr.2 i policisë së Tiranës e konsideroi vetëvrasje ngjarjen e ndodhur në mes të tetorit 2007 me Gani Kamberin. Pranë tij ishte gjetur pistoleta me të cilën ai ishte qëlluar, por çuditërisht, arma kishte bërë dy qitje ndërsa viktima kishte vetëm një plumb në kokë. Denoncimi i familjarëve që këmbëngulën se ngjarja ishte një vrasje dhe një verifikim i dytë i viktimës, treguan se plumbi kishte hyrë në pjesën e pasme të tokës së Gani Kamberit në anën e majtë dhe daljen e kishte në zonën e ballit. Një projeksion i tillë i plumbit, sipas hetuesve tregon për vrasje dhe hedh poshtë mundësinë e vetëvrasjes. Viktima u varros ndërsa familjarët kërkonin dyerve të policisë dhe Prokurorisë hetimin serioz të ngjarjes që ishte konsideruar vetëvrasje nga depresioni. Më 28 dhjetor 2007, Prokuroria e Tiranës riktheu dosjen në komisariatin e policisë nr.2, duke kërkuar zhvarrosjen e viktimës dhe kësaj radhe, këqyrjen e kufomës me një komision prej tre mjekësh ligjorë dhe jo vetëm me një të tillë si më parë, kur eksperti e kishte konsideruar ngjarjen si vetëvrasje. Prokuroria la edhe disa detyra të tjera për policinë, mes të cilave ishte edhe një listë prej 26 dëshmitarësh që duheshin pyetur rreth vrasjes së dyshuar të Gani Kamberit. Në zbatim të urdhrit të Prokurorisë, dje Gani Kamberi është zhvarrosur nga varrezat e kryeqytetit. Ekspertiza po zhvillohet në morgun e Tiranës nga një komision prej tre mjekësh ligjorë që do të saktësojnë nëse ngjarja ka qenë vrasje apo vetëvrasje.
Krerët e komunës vodhën tokat e 60 banorëve
TIRANE – Tre ish-krerët e komunës së Kasharit u arrestuan nga policia me urdhër të Prokurorisë, më 30 nëntor 2007, vetëm 16 ditë pas vdekjes së denoncuesit të tyre Gani Kamberi. Alfred Sulaj, Faik Fejzo dhe Naim Karaj, të tre ish-krerë të komunës së Kasharit u arrestuan pasi akuzoheshin për shitjen e tokave mbi bazën e dokumenteve false në bashkëpunim me Islam Sherën, Shefqet Alikajn, Ismail Sulajn dhe Xhevair Hykën. Për këtë të fundit, gruaja e Gani Kamberit, është shprehur dje se bashkëshorti i saj ka pasur një konflikt me Xhevahir Hykën dhe gjatë kësaj mosmarrëveshjeje, i arrestuari kishte rrahur personin që më pas u gjet i vdekur. Sipas gruas së viktimës, tokat e Gani Kamberit ishin shitur e tjetërsuar ndërsa abuzimi kishte arritur deri aty, sa toka ku ndodhet shtëpia e familjes Kamberi në Kashar, ishte shitur pesë herë mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara. Dosja përmban prova sipas të cilave, ish-krerët e komunës Kashar, gjatë mandateve të tyre nga viti 2003-2007, kanë tjetërsuar pronësinë e rreth 18 hektarëve tokë në pronësi të rreth 60 banorëve të zonës. Njëri prej këtyre banorëve të dëmtuar ka qenë edhe Gani Kamberi, i cili është paraqitur në polici dhe ka denoncuar rastin e tij duke pohuar, tjetërsimin e pronësisë së 9 mijë metrave katrorë tokë përmes falsifikimit të dokumenteve. t.s