E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e shoferit, reagojnë familjarët e të akuzuarit

Elbasan Nëna e të ndaluarit, Ibrahim Caka, mohon hakmarrjen

Pak orë pasi policia e Elbasanit ka ndaluar tre të dyshuar për vrasjen e 52-vjeçarit Gëzim Alikaj mbrëmjen e të premtes, kanë reaguar familjarët e njërit prej të akuzuarve. është pikërisht familja Caka ajo që akuzon policinë e Elbasanit për alibinë e ngritur në lidhje me vrasjen e 52-vjeçarit, i cili punonte prej kohësh si shofer autobusi. Mes 50 të shoqëruarave nga ana e policisë në lidhje me këtë ngjarje, mësohet se ka qenë edhe nëna e 31-vjeçarit Ibrahim Caka, mbi të cilën policia ka mbështetur hetimet dhe ka ngritur akuzat për këtë vrasje. Por, ndërsa të gjithë të shoqëruarit janë lënë të lirë, tre prej tyre: Ibrahim Caka, Elton Hyka dhe Ardit Spahiu, janë ndaluar nga policia si autorë të dyshuar të vrasjes në bashkëpunim të shoferit 52-vjeçar, Gëzim Alikaj. Ndërkohë, mësohet se kohët e fundit, shoferi ishte martuar për herë të dytë, pas një divorci me gruan e parë. “Policia ka ngritur një akuzë alibi ndaj djalit tim, pasi ai atë natë ka qenë duke darkuar me shokët e tij në periferi të qytetit të Elbasanit”, mësohet të ketë thënë nëna e akuzuarit, Ibrahim Caka. Por ndryshe serviren faktet e policisë. Sipas burimeve të policisë së Elbasanit konfirmohet se vrasësi i vëllait të 25-vjeçarit Caka, që është i vëllai i viktimës, Gëzim Alikaj, vuan dënimin në Taragona të Spanjës me 25 vjet heqje lirie dhe nuk është ekstraduar për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Ndërkohë, nga burime të sigurta mësohet se policia njëkohësisht po punon dhe në një pistë tjetër hetimi, duke marrë në pyetje dhe të afërt të familjes së viktimës, pa përjashtuar dy kurorat martesore të tij. Sot pritet që prokuroria e rrethit gjyqësor të Elbasanit të përcaktojë edhe masën e arrestit për tre të ndaluarit si të dyshuar për vrasjen në bashkëpunim të 52-vjeçarit Gëzim Alikaj, babai i katër fëmijëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›