E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapet banda e hajdutëve

21/02/2005  Paraditja e së djeshmes ka shënuar arrestimin e një bande hajdutësh të përbërë nga dy anëtarë. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut bëjnë të ditur se Ilir Lila dhe Sajmir Sina, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë grabitur 11 banesa, një dyqan dhe një çantë.

Aktiviteti

Ilir Lila, i dënuar më parë për vjedhje, kishte arritur të bindte dhe shokun e tij Sajmir Sinën, për të grabitur në bashkëpunim banesat e qytetarëve të ndryshëm. Sendet e vjedhura mund ti shisnin me çmime të lira në tregun e zi. Kësisoj, nuk do të mbeteshin asnjëherë pa para. I mbetur pa punë dhe pa asnjë shpresë tjetër për të siguruar jetesën, 30-vjeçari nga Shkoza, pa si të vetmen rrugëzgjidhje propozimin e mikut nga Fushë-Kruja. Nisi kështu "gjuetia" e tyre për shtëpitë e pabanuara, apo kur të zotët kishin shkuar gjetiu për pushime. Objektet më të preferuar për grabitje ishin orenditë shtëpiake, si televizorë, video por dhe frigoriferë. Burime nga komisariati i policisë Nr. 3, bëjnë të ditur se sajë eksperiencës së Ilir Lilës si hajdut i regjur, banditët arrinin të vepronin pa lënë gjurmë në vendet e ngjarjes. Që nga stina verore e vitit të shkuar e deri më tash, numërohen mbi 11 banesa të vjedhura nga të arrestuarit.

Zbulimi

Rastet ishin të përsëritura, kësisoj puna për të zbuluar autorët nuk ishte fort e vështirë për blutë. Vepra e tyre e parë daton në 19 janar të vitit të shkuar në rrugën "Jordan Misja". Më pas, kjo vjedhje u shoqërua dhe me 8 të tjera syresh. Të njëjtat burime shtojnë se rruga "Don Bosko", ra dy herë pre e Lilës dhe Sinës, ndërsa lagjia "Besa" në një rast. Tek "Mine Peza", ata ndërruan objekt. Në Shën Valentinin e vitit të shkuar, i grabitën çantën një kalimtareje dhe u kthyen sërish pak ditë më parë tek një dyqan. Por, për fatin e tyre të keq, aty "harruan" shenjat e gishtërinjve. Për Ilir Lilën ky qe veprim fatal, pasi shenjat e gjetura nga policia u njohën nga kompjuteri qendror i Ministrisë së Rendit. Ai u identifikua dhe pak orë më pas ra në pranga, duke mos kursyer as bashkëpunëtorin Sajmir Sina. Në cilësinë e provës materiale u bllokua një armë gjahu tip “Shotgan”. Materialet i kaluan Prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›