Ruli të reformohen hipotekat
21/02/2005 Drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Genc Ruli, tha dje se, në platformën ekonomike, vëmendje e veçnatë duhet t'i kushtohet dhe reformës në sistemin hipotekor. Sipas Rulit, shërbimi hipotekor lë shumë për të dëshiruar dhe është një hallkë e rëndësishme në platformën ekonomike të një qeverie. "Dihet gjendja e sistemit tonë hipotekor. Falsifikimet e bëra atje do të krijonin amulli në mbledhjen e taksave. Jam i mendimit se duhet një reformë e thellë në sistemin hipotekor dhe një përmirësim të shërbimeve atje në rast se duam që të funksionojë kjo platformë ekonomike", tha Ruli. Reforma rrënjësore në shërbimin tonë të hipotekës, janë paraqitur edhe më parë nga PD-ja, kur është folur për legalizimet dhe kthimin e pronave. Autorët e strategjisë së legalizimit janë të mendimit se ky institucion është ndër të paktët, që duhet reformuar plotësisht. Sipas tyre, reforma në hipotekë duhet filluar që nga hetimi i falsifikimeve, vendosja e një infrastrukture moderne për regjistrimin e pasurive të paluajtëshme, etj.