E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapet banda e motorave, me 12 adoleshent

04/02/2005  Arrestohen katër, të tjerët në këkrim, grabisnin në Laprakë, Paskuqan, Zogu i Zi,

Zbulohet në kryeqytet banda e grabitësve të motorëve. Një operacion i suksesshëm i policisë kriminale të Komisariatit nr.4 vuri në pranga, rreth orës 20:30 të së djeshmes, 4 adoleshentët, që përbënin grupin kriminal. Shpallen në kërkim dhe katër të tjerë.

Arrestimi

Fabjon Laçi, Leonard Gjini, Mariglen Kanto dhe Florenc Piraçi janë të rinjtë e arrestuar dje në mbrëmje nga policia e kryeqytetit. Që të gjithë të prangosurit janë banorë të Paskuqanit. Burime zyrtare nga Komisariati 4 bëjnë të ditur se më i madhi nga vjedhësit është 17 vjeç, ndërsa më i vogli 15. Por mosha nuk i ka penguar ata të tregojnë epërsinë në aktivitetin kriminal. Mësohet se të gjithë banditët u vunë në pranga të banesat e tyre. Ata nuk e mohuan në asnjë çast aktivitetin, madje u treguan të gatshëm të bashkëpunojnë. Të njëjtat burime saktësojnë se minorenët rrëfyen dhe identitetin e shokëve të tyre, të cilët u shpallën menjëherë në kërkim. Duke iu referuar dëshmisë së tyre, bashkëpunëtorët janë blerësit që merrnin motorët e grabitur kundrejt çmimeve të ulëta. Sakaq janë zbuluar dhe vendet ku të arrestuarit grabisnin mjetet. Paskuqani, Lapraka, Zogu i Zi dhe pikat e tjera periferike të Tiranës ishin një vend i sigurt për të grabitur, duke mos u hyrë gjemb në këmbë. Po punohet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të bandës.

Gjurmimi

Hajdutët, që grabisnin motorët në rrugët e Tiranës, u identifikuan nga policia kriminale e Komisariatit 4 qysh prej 3 muajsh. Në muajin tetor, kur vjedhja e këtij tipi mjetesh arriti kulmin e saj, blutë nisën gjurmimin e të miturve që ushtronin këtë hobi kriminale. Puna për zbulimin e tyre ishte e vështirë, për vetë faktin se banda përbëhej nga plot 12 persona. Organizimi i hajdutëve ishte i përkryer për moshën dhe kapacitetin e tyre. Kësisoj, agjentëve të antikrimit iu vështirësua edhe më tepër gjurmimi. Ndërsa survejimi i vjedhësve intensifikohej nga dita në ditë, në Komisariatin 4 sa vinte e bëhej më voluminoze dosja me materialet në ngarkim të adoleshentëve. Tashmë për uniformat ishte i qartë fakti se në të gjithë grabitjet e motorëve kishin dorë të gjurmuarit. Mungonin vetëm kushtet e flagrancës, ose të paktën gjurmë të sakta në vendngjarje dhe ata do ta shihnin veten në pranga. U arrit të zbulohej në 3 muaj se mjetet e grabitura shkatërroheshin me të rënë në duart e hajdutëve. Për të humbur gjurmët, ata i çmontonin motorët pjesë-pjesë dhe i shisnin në një pikë servisi në Paskuqan. Kur dispononin më tepër mall sesa kishin mundësi t’i ofronin blerësit të tyre, ata i dërgonin pjesët e këmbimit në pika të tjera në kryeqytet.

Të arrestuar

Fabjon Laçi, 16 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë

Leonard Gjini, 15 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë

Mariglen Kanto, 17 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë

Florenc Piraci, 16 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Tiranë

Shtohen vjedhësit minorenë

Kohët e fundit është vënë re një shtim i konsiderueshëm i grabitësve minorenë. Nëse hedhim një vështrim në retrospektivën e zbulimit të autorëve të vjedhjeve në kryeqytet, rezulton se në shumicën e tyre kanë dorë të vegjlit. Mosha e vogël i shpëton ata nga prangat, duke u mjaftuar me një procedim penal në gjendje të lirë, nën përgjegjësinë prindërore. Kjo kategori hajdutësh kryejnë përgjithësisht vjedhje sendesh personale, banesash e në raste shumë të rrallë pika servisi automjetesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›