Vret nënën, pranon fajësinë para gjykatës
04/02/2005 TIRANË –Vret nënën brenda në banesë, pranon fajësinë duke u shprehur se gjithçka ka ndodhur nga pakujdesia. Seanca gjyqësore për të pandehurin Elvis Guri filloi dje nën drejtimin e gjyqtarit Fehmi Petku. Që në hapje të procesit, i pandehuri i ndihmuar nga avokati Sajmir Visha kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur pa dashje. Kërkesa e bërë nga i pandehuri u pranua nga gjykata dhe, brenda seancës së djeshme u lexua kërkesa për gjykim dhe iu dha e drejta prokurorit të pregatisë konkluzionet përfundimtare. Duke mos patur asnjë dëshmitarë për ngjarjen, çështja u pa të zgjidhej me gjendjen që janë aktet. Jetonte i ndarë brenda një ndërtese. "Ne jetonim të ndarë. Unë banoja në katin e dytë të ndërtesës dhe nëna në katin e parë. Isha duke pirë kafe. Nëna më thirri për të mbushur armën që e mbante në shtëpi për t'u ruajtur nga gjakësi". Kështu e ka nisur rrëfimin e tij, Elvis Guri. "E lashë kafen në gjysmë. Zbrita poshtë dhe në momentin që fillova të merrem me armën mbaroi gjithçka. Nëna ishte përballë meje duke më shikuar. Unë nuk e dija që arma kishte patur një plumb në gojë dhe pa dashur e shkreha. E pashë që qëllova nënën, por nuk e kuptova për momentin", ka vazhduar rrëfimin i pandehuri Elvis Guri. Më tej, ai ka shpjeguar se nga frika është larguar menjëherë për të kërkuar ndihmë, por e ka parë veten në duart e forcave të rendit. Elvis Guri ka qenë edhe më parë i dënuar për krimin e vrasjes. Pikërisht vrasja e kryer prej tij e kish futur familjen Guri në hasmëri. Që prej lirimit nga burgu, i pandehuri ka jetuar i ndarë nga pjesa tjetër e familjes, që ishte vetëm nëna. I pandehuri e qëlloi nënën e tij në muajin nëntor të vitit të kaluar.