Vendimi, 62 vite burg për katër trafikantë femrash

04/02/2005 TIRANË – Ndonëse e ka zbutur me dy vite burg dënimin për të pandehurit kryesor, gjykata i ka deklaruar të katërt bashkëpunëtorë në veprën penale të trafikimit të femrave për prostitucion. Bardhi Spahiu dhe Pajtim Lame u dënuan dje me nga 16 vite heqje lirie, ndërsa Bledar Spahiu dhe Ermal Koronaci me nga 15 vite burg. Për dy të parët akuza kishte kërkuar dënimin me nga 18 vite burg, ndërsa për Ermal Koronacin kërkoi 17 vite burg e për Bledarin 15 vite. Sipas gjykatës, Bledari e merr në telefon dhe i premton se do të lidhet me të dhe se shumë shpejt do t'i shkonte në shtëpi me familjen. Kështu, në datën 14 janar të vitit të kaluar, Bledar Spahiu niset në shtëpinë e vajzës, Farie Leka, në Gjazë të Lushnjës. Me vete ai merr edhe një person tjetër me mustaqe, duke e prezantuar si dajën e vet. Ndërkohë që për adresë të saktë nuk dha Rroskovecin, por Tepelenën. Sipas prokurorit Njazi Seferi, Bledar Spahiu e bëri këtë veprim, pasi i pandehuri Pajtim Lamaj i kishte kërkuar një vajzë për ta punuar në Greqi. Bledari i premtoi Pajtimit se e kishte gati një vajzë, të cilën do ta shpinte në dorë me pak dredhi dhe për të donte vetëm 1 mijë euro. Kështu, në 14 janar, Bledari, pasi prezantohet me prindërit e vajzës, u thotë atyre se kishte shumë dëshirë të dilte me të në shëtitje. Sapo del nga shtëpia, Bledari takohet me Pajtim Lamaj dhe Ermal Koronacin, të cilët ishin me taksi. Nisen dhe pasditen e 14 janarit mbërrijnë në Berat. Sapo arrijnë në qendër, Bledar Spahiu dhe Ermal Koronaci zbresin nga makina, duke e lënë vajzën me Pajtim Lamaj. Vajza ka treguar në Prokurori se, pasi kaluan disa orë filloi të shqetësohej. Ndërsa Lamaj e mbante me fjalë të ngrohta. Farie Leka i kërkon Lamajt ta kthente në shtëpi, ndërsa ky i fundit i thoshte të qetësohej dhe të mos bënte zë, pasi mund t'i kapte policia. Kur kaluan disa orë, vajza shqetësohet dhe kërkon të kthehet. Natën e 14 janarit ajo keqtrajtohet nga i pandehuri dhe të nesërmen, në 15 janar, kthehet në shtëpi. Sapo kthehet, ajo paraqitet në komisariatin e Lushnjës, duke treguar emrat e personave që e rrëmbyen me qëllim trafikimi, Bardhi dhe Bledar Spahiu, Ermal Koronaci dhe Pajtim Lamaj.