Kapet banda e vjedhjes së makinave
Policia e Tiranës zbulon një bandë të vjedhjes së automjeteve në Tiranë. Në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës është zhvilluar operacion i koduar “Moto Car II”, ku u arrit identifikimi i autorëve të disa vjedhjeve. “Falë një pune të gjatë hetimore, u bë i mundur identifikimi i Jetlum Markajt, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vuken të Malësisë së Madhe, i arrestuar për vjedhje në Shkodër; Eduard Gegajt, 21 vjeç; dhe Bledar Tokajt, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shtoji i Vjetër Shkodër. Gjatë hetimit paraprak ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në periudhën e viteve 2010- 2011, janë autorë të së paku 3 vjedhjeve automjetesh të ndodhura në Tiranë”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Ndërkohë, strukturat e Komisariatit të Policisë nr.2 në Tiranë po punojnë për dokumentimin e mjeteve të tjera, të vjedhura në Tiranë nga ky grup kriminal.